Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Murati: Në pjesën e parë të vitit 2024, ekonomia është zgjeruar 4.9 për qind

Murati: Në pjesën e parë të vitit 2024, ekonomia është zgjeruar 4.9 për qind

Ministri i Financave Hekuran Murati, ka prezantuar Buxhetin për vitin 2025 para anëtarëve të Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Buxheti për vitin e ardhshëm arrin vlerën prej 3.6 miliardë eurosh.

“Buxheti për vitin e ardhshëm parashihet të jetë 3.6 miliardë eurosh, ndërkaq ky buxhet parashihet të financohet nga të hyrat buxhetore në nivelin e 3 miliardë e 305 milionë euro, kurse pjesa tjetër prej 300 milionë euro do të jetë deficiti buxhetore. Për të ardhur deri te ky buxhet janë marrë parametrat e zhvillimit ekonomik dhe performancës së vitit aktual. Inflacioni deri në shtator ka shënuar 1.9 për qind”, tha Murati.

“Pavarësisht përballjes së situatës së vështirë në nivel global, rritja ekonomike ka shënuar performancë të mirë gjatë këtij viti. Në pjesën e parë të vitit 2024 ekonomia është zgjeruar 4.9 për qind. Deri në fund të vitit presim që ekonomia të zgjerohet 6.6 për qind në terma nominal”, ka theksuar ai.

Kritika për këtë buxhet patën partitë opozitare.

“Rritja e buxhetit për vitin e ardhshëm nuk paraqet ndonjë risi sidomos për shkak të rritjes së çmimeve që po përballen qytetarët çdo ditë. Nuk është lajm kjo rritje, marrë parasysh gjendjen në të cilën gjinden bizneset e sidomos për shkak të rritjes së tatimit në pronë”, u shpreh deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.

Powered by WordPress