Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Murati i kundërpërgjigjet opozitës: Shifra me “tahmin” mundeni me dhënë, por ato janë të pamundshme

Murati i kundërpërgjigjet opozitës: Shifra me “tahmin” mundeni me dhënë, por ato janë të pamundshme

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati i është kundërpërgjigjur kritikave të opozitës për vlerën e koeficientit të pagës në sektorin publik.

Pas caktimit të vlerës së koeficientit prej 105 eurove në mbledhjen e qeverisë, Murati në konferencë për medie, tha se shifrat me tahmin munden me dhënë gjithkush, por sipas tij ato janë të pamundura në bazë të hapësirave buxhetore që ka Kosova.

Murati: Shifra me “tahmin” munden me dhënë gjithkush, por ato duhet bëhen në bazë të llogaritjeve

“Shifra dhe vlera të koeficientit me të qëlluar dhe tahmin mundet me dhënë gjithkush. Ne jemi shtet dhe qeveri, vlerat dhe shifrat duhet të bëhen në bazë të llogaritjeve të sakta dhe hapësirave dhe kufijve ligjor që i kemi… Hamendsimet me vlera të ndryshme që merren nga ajri dhe pa përllogaritje munden edhe të jenë në nivele të imagjinares, por ato nuk qëndrojnë dhe nuk janë të sakta. Të njëjtat janë të pamundshme, ne mund të flasim çka është e mundur, konsideroj se me një rritje të tillë është bërë një hap shumë i mirë, pasi rritja ka qenë efekti dytësor, siç e tha efekti parësor ka qenë të vihet një sistem i mirëfilltë, barabartë dhe të drejtë për shërbyesit publik”, tha ai.

Ndërkaq,zëvendësministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Bardhyl Dobra, i tha se zërat që janë kundër Ligjit për paga janë nga personat që iu preken privilegjet.

Dobra: Zërat kundër janë nga personat që iu preken privilegjet

“Në ditët në vijim do të shohim se do të ngritën shumë zëra, do ta quajnë këtë proces të dëmshëm, por po iu paralajmërojmë ata janë persona që do t’i shohin privilegjet e tyre të padrejta që do të preken. Prandaj është e rëndësishme që të kemi parasysh se ligji dhe klasifikimi janë duke sjell rregull në Republikën e Kosovës në fushën e pagave”, theksoi Dobra.

Ai shpalosi edhe disa nga pagat e zyrtarëve publikë, që sipas tij tregojnë që dallimi ndërmjet pagave të njëjtit sektor është vetëm tri herë më i lartë.

Dobra: Dallimi në paga është vetëm tri herë

“Paga më e lartë do të jetë ajo e presidentes, 1890 euro, njëkohësisht që është edhe komandante supreme, ndërsa e ushtarit është 588 euro. Pra dallimi është tri herë, ashtu siç kemi premtuar. Paga e kryeministrit 1785, ndërsa ajo e mjekut specialist 1260 euro, deri më tani ai ka qenë në shkallën 650 euro, ndërsa tani po kalon 1260 euro. Paga bazë e mësimdhënësit në shkollën fillore dhe të mesme të ulët do të kalojë nga 421 euro në 588 euro, ajo e edukatorit nga 393 euro në 546 euro. Paga e kryeinfermierit në QKUK nga 471 euro në 672 euro”, tha ai.

Projektligji për plotësim-ndryshimin e ligjit për ndarjet buxhetore do të shkojë për miratim në Kuvend dhe pas kësaj do t’i hapet rrugë që pagat prej muajit të ardhshëm të dalin me rritje në bazë të Ligjit për paga./TV Arbëria

Themes by WordPress