Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas publikimit të Aktgjykimit të Gjykatës Supreme për shfuqizimin e një neni të një Udhëzimi Administrativ për Veteranët e Luftës së UÇK-së, duke sqaruar se ky vendim nuk ka të bëjë me ndonjë udhëzim të miratuar nga Qeveria Kurti.
Murati ka theksuar se “Gjykata Supreme sot ka publikuar Aktgjykimin për shfuqizimin e një neni të një Udhëzimi Administrativ për Veteranët e Luftës së UÇK-së, udhëzim ky i miratuar në vitin 2015 në kohën e Qeverisë së përbërë nga koalicioni PDK-LDK”.
Sipas tij, “nuk bëhet fjalë për shfuqizim të ndonjë Udhëzimi Administrativ të miratuar përgjatë mandatit të Qeverisë Kurti”.
Ai ka ftuar edhe mediat që të jenë të kujdesshme në raportime, duke thënë se “ftoj edhe mediat të përmbahen nga raportimet tendencioze që gabimisht tentojnë ta prezantojnë këtë si vendim të Gjykatës që shfuqizon ndonjë akt nënligjor të Qeverisë Kurti”.
Murati kujtoi se “në fakt, ishte pikërisht Kryeministri Kurti ai që paralajmëroi se kufizimi i punësimit për Veteranët e Luftës së UÇK-së do të hiqet”.
Në sqarimin e tij, ministri në detyrë ka bërë të ditur se neni i kontestuar i Udhëzimit Administrativ parashihte që “për të aplikuar për benefitin e Veteranit të UÇK-së, ndër tjera duhej dorëzuar edhe dëshminë nga ATK që Veterani nuk ishte i punësuar”.
Sipas Muratit, Gjykata Supreme e ka shfuqizuar këtë nen pasi “e ka konsideruar që bie ndesh me Nenin 16A të Ligjit të ndryshuar/plotësuar për Veteranët e Luftës së UÇK-së”. Ky ndryshim ishte bërë në vitin 2017, gjatë qeverisjes së koalicionit PDK-LDK.
Ai ka shpjeguar se “Neni 16A parashihte kategorizimin e Veteranëve në tri kategori, sipas periudhës së pjesëmarrjes në luftë, dhe pas përfundimit të këtij kategorizimi parashihte edhe mundësinë që Veteranët që punonin jashtë sektorit publik të mund të përfitojnë 50% të shumës së benefitit sipas kategorisë përkatëse”.
Murati ka theksuar se interpretimi mbizotërues deri më tani ishte që “parakusht i zbatimit të këtij paragrafi është përmbyllja e kategorizimit të Veteranëve sipas paragrafit 4 të nenit në fjalë”.
Ai shtoi se “ne do të analizojmë me zyrën ligjore në MFPT nëse Aktgjykimi i sotëm i Supremes është i mjaftueshëm që t’u mundësohet përfitimi i benefitit edhe Veteranëve të UÇK-së që punojnë jashtë sektorit publik, edhepse kategorizimi i paraparë sipas Nenit 16A nuk është bërë deri më tani, apo nëse ka nevojë për ndryshime ligjore shtesë të cilat edhe ashtu kanë qenë në plan”.
Në fund, Murati theksoi se “sido që të jetë, Kryeministri Kurti tashmë e ka dhënë zotimin publik, dhe ne do të punojmë për ta jetësuar atë zotim sa më parë”.