Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Mungon Sami Kurteshi, shtyhet seanca në rastin ku ai po akuzohet për sulm ndaj zyrtarit të KQZ-së

Mungon Sami Kurteshi, shtyhet seanca në rastin ku ai po akuzohet për sulm ndaj zyrtarit të KQZ-së

Për shkak të mungesës së anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi, në rastin ku ai po akuzohet për sulm ndaj të dëmtuarit Adnon Berisha në selinë e KQZ-së, është shtyrë seanca e planifikuar për ditën e sotme ndaj tij.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit Kurteshi, gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj tha se i njëjti kishte qenë i ftuar në mënyrë të rregullt dhe se mungesën e tij nuk e ka arsyetuar. Ai shtoi se nëse i njëjti nuk do të arsyetoi mungesën brenda pesë ditësh gjykata do të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim për seancën e radhës.

Në këtë seanca prezantuan prokurorja Elza Bajrami dhe i dëmtuari Berisha, ndërsa seanca e radhës për këtë çështje u shty për një datë tjetër.

Ndryshe, aktakuza e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila e ngarkon të akuzuarin Sami Kurteshi me veprën penale “Sulmi”, rezulton të jetë përpiluar më 21 dhjetor 2021.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Kurteshi po akuzohet se më 25 gusht 2021 në selinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Prishtinë, me dashje përdor forcën ndaj të dëmtuarit Adnon Berisha.

Aktakuza thotë se derisa i dëmtuari Berisha ishte duke iu shërbyer me kafe dhe pa vendosur maskë, fillimisht i pandehuri i drejtohet me fjalët “djalo ku e ki maskën?” dhe pasi që i dëmtuari nuk përgjigjet, atëherë i pandehuri Kurteshi e kapë për krahu të dëmtuarin duke e tërhequr dhe duke i bërtitur me fjalët “ec jashtë” dhe e shtynë nga mbrapa me dy duart.

Me këtë, Kurteshi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulm” nga neni 184, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në një vit.

Ndryshe, më 25 gusht 2021 ishte raportuar se Policia e Kosovës (PK) ka nisur hetimet ndaj Sami Kurteshit, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), si i dyshuar se ka sulmuar një person. /BetimipërDrejtësi/

Powered by WordPress