Pas sulmit të kanalit të ujit të Ibër-Lepencit, në Zubin Potok, dy krerët e shtetit Presidentja Vjosa Osmani, dhe Kryeministri Albin Kurti nuk patën një takim të përbashkët, shkruan TV Arbëria.
Të dy veq e veq, si Kurti ashtu edhe Osmani u takuan me komandantin e KFOR-it, Enrico Barduani, si dhe me liderë të tjerë, por nuk pati një takim mes Presidentes së vendit dhe Kryeministrit.
Lidhur me këtë për TV Arbëria ka folur analisti politik, Shemsi Jashari, ai thotë se ka munges të koordinimit dhe komunikimit të ngushtë mes institucioneve kryesore të vendit.
“Mungesa e një takimi të përbashkët mes Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Kryeministrit Albin Kurti pas sulmit në kanalin e ujit mund të interpretohet në disa mënyra:
Në rend të pare si Sinjal i mungesës së koordinimit politik, ose komunikimit të ngushtë mes institucioneve kryesore të vendit. Në situata emergjente ose kriza të sigurisë, pritshmëria është që liderët më të lartë të vendit të paraqiten bashkërisht për të ofruar një mesazh uniteti dhe drejtimi. Kjo mungoi në rastin e fundit”, tha Jashari.
Tutje thotë se nuk ka arsye praktike për mungesën e takimit mes tyre, dhe thotë se kjo është një tregues se secili prej tyre po vepron në mënyrë të pavarur, pa e parë të nevojshme për një koordinim të afërt.
“Nga sa kemi parë ne si qytetarë, nuk ka arsye praktike për mungesën e takimit në mes të, Presidentës dhe Kryeministrit, pasi ky rast i sulmit terrorist mbi asetet vitale të shtetit, ishte me prioritet absolut dhe kjo na lenë të nënkuptojmë se ka mosmarrëveshje ose tensione mes Presidentes dhe Kryeministrit. Këto tensione mund të lidhen me qasjet e ndryshme ndaj politikave ose çështjeve të tjera të brendshme, të shpërfaqura ditë më herët edhe në adresimin e Presidentës para kuvendit të Kosovës.
Përderisa Kushtetuta e Kosovës përcakton role të ndryshme për Presidenten dhe Kryeministrin, kjo është një tregues se secili prej tyre po ndjek përgjegjësitë e veta në mënyrë të pavarur, pa e parë të nevojshme një koordinim të afërt, gjë që nuk është e drejtë vendosja e inateve përsonale dhe interesave politike afatshkurtra para rreziqeve kombëtare, pasi kjo cenon sigurinë kombëtare”, ka thënë Jashari për TV Arbëria.
Analisti po ashtu thotë se bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet liderëve shtetërorë është i rëndësishëm dhe jetik, për të projektuar unitet dhe stabilitet.
“Në një vend me sfida të brendshme dhe të jashtme si Kosova, bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet liderëve shtetërorë është i rëndësishëm dhe jetik, për të projektuar unitet dhe stabilitet. Nëse ky bashkëpunim mungon, publiku mund të interpretojnë situatën si një dobësi institucionale dhe të ngjallë pasiguri dhe konfuzion”, ka thënë analisti. /TV Arbëria