Shkruan: Afrim Kasolli
Që nga themelimi i Gjykatës Speciale kanë ekzistuar vetëm dy përpjekje të dukshme që të ndryshohet ligji mbi këtë institucion hibrid juridik.
Nisma e parë ka të bëjë më përpjekjen e Kuvendit të Kosovës në vitin 2017, për ta shfuqizuar ligjin mbi Dhomat e Specializuara. Mirëpo, atëbotë ndaj kësaj nisme partnerët ndërkombëtarë patën reaguar në mënyrën më të ashpër të mundshme. Ish-ambasadori amerikan, Greg Delawie, atëbotë kishte deklaruar se një tentim i tillë paraqet një thikë pas shpine ndaj Uashingtonit nga ana Prishtinës. Kurse, ish-ambasadori britanik Ruairi O’Connell, pat deklaruar ajo kishte qene nata më e rrezikshme për Kosovën, që prej luftës. Me qëllim që të frenohet kjo përpjekje ambasadorët në fjalë, por edhe të tjerë, ndikuan për t’i bërë bashkë Lëvizjen Vetëvendosje, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Listën Serbe, për ta pamundësuar kourumin për seancën në fjalë.
Ndërkohë, sipas ish- të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, ish-ambasadorit amerikan në Gjermani, Richard Grenell kjo çështje ishte paraparë që të jetë pjesë edhe e Marrëveshjes së Uashingtonit. Sipas diplomatit në fjalë, me këtë rast ishte paraparë, që të mbyllet Gjykata Speciale në Hagë, ku ndjekja penale pë rata që akuzoheshin do të kryhej nga vendet respektive. Çdo pretendim për krime nga shqiptarët do të ndiqej në Kosovë, kurse për ato serbe në Serbi. Mirëpo, edhe kjo përpjekje diplomatike nuk pati sukses, sepse siç beson Richard Grenelli, ky pajtim e nxiti e nxiti Departamentin amerikan të Drejtësisë dhe Prokurorin Jack Smith, ta shqiptonte aktakuzën ndaj Hashim Thaçit, me qëllim që t’i minonte këto përpjekje. Për çka edhe ish presidenti- u detyrua që në mes të rrugës për në Uashington të kthehej në shtëpi. Kështu, pas dështimit të këtyre dy përpjekjeve thuajse institucionet e Kosovës u futën ne një gjumë letargjik në raport me punën e kësaj Gjykate.
Ndërkohë, ekspert juridik kanë argumentuar se edhe “ndryshimi i ligjit në mes të rrugës, nuk qëndron në kundërshtim as me të drejtën ndërkombëtare, të drejtat e njeriut dhe Kushtetututën e Kosovës. Sipas Robert Muharremit, në shkrimin “Gjykimet në Hagë dhe Institucionet e Kosovës” Kosova e njeh parimin “lex mitior, dmth. parimin që ligji më i favorshëm duhet të zbatohet ndaj të akuzuarit. Ndryshimi i ligjit për të kufizuar kompetencën e gjykatës nuk është ndërhyrje, por është një korrigjim i një lëshimi legjislativ në favor të të drejtave të të akuzuarit. Nëse Kuvendi e kufizon kompetencën e gjykatës, ky do të ishte një zbatim i ligjshëm i legjislacionit retroaktiv në favor të të akuzuarve për t’u gjykuar në Kosovë”.
Ndërkaq, përtej këtij interpretimi juridik, kohën e fundit janë bërë gjithnjë e më publike disa nga motivet politike dhe gjeopolitike që rezultuan në themelimin e Dhomave të Specializuara. Fillimisht një nga emrat me të spikatur të drejtësisë ndërkombëtare, Geoffrey Nice, në një ngjarje kushtuar punës së kësaj instanca juridike, ka deklaruar hapur dhe pa ekuivoke, se Gjykata Speciale “pasqyron objektiva të fshehta politike”.
Madje, sipas tij Kosova i ishte nënshtruar një presioni të tmerrshëm diplomatik nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian që t’i pranonin dokumentet e hartuara nga Uashingtoni dhe Brukseli pa asnjë heztim. Kurse, sipas Jason Steinbaum, ish Drejtori i Stafit pranë Komisionit për Punë të Jashtme në Kongresin amerikan, i cili për 30 vjet rresht ishte edhe shefi i stafit të Kongresmenit Eliot Engel, SHBA-të fillimisht ishin indiferentë ndaj kësaj teme, por brenda natës ndryshoi gjithçka. Dhe kjo kthesë sipas autorit në fjalë lidhej “me nje prioritet tjetër të administratës Obama në politikën ndërkombëtare. Ajo kishte të bënte me një marrëveshje bërthamore me Iranin”. Kështu si kundërvlerë për bashkëpunim rreth marrëveshjes së madhe me Iranin, “shumë besojnë se Rusia, dhe ndoshta edhe disa interesa evropiane, i kërkuan Shteteve të Bashkuara – partnerit kryesor të Kosovës – të ushtronin presion mbi shtetin e ri për të krijuar një gjykatë që do të hetonte dhe ndiqte penalisht këto akuza”.
Ky interpretim tregon qartë se SHBA-të u pajtuan t’i plotësonin disa nga kërkesat e Rusisë me qëllim që e njëjta të përfshihet gjithnjë e të tepër në rendin ndërkombëtar. Por zhvillimet e mëvonshme treguan se kjo Gjykatë e humbi edhe” arsyen” e saj gjeopolitike të themelimit. Sepse Rusia në vend të shndërrimit në një aktor të përgjegjshëm të së drejtës ndërkombëtare ajo u bë edhe me agresive, duke kulmuar me sulmin e saj brutal kundër Ukrainës. Po ashtu, edhe SHBA-të, nën administratën Trump e ka braktisën Marrëveshjen e tyre me Iranin për kufizimin e programit bërthamor të Teheranit.
Në këtë kontekst, pas këtyre ndryshimeve gjeopolitike, Kosova është dashur ta shfrytëzojë në maksimum mundësinë e krijuar kundër kësaj gjykate. Por, pikërisht në kohën kur institucionet e Kosovës do duhej të ishin me aktive se kurrë për shkak të rrethanave të reja, ato u shndërruan ne spektator pasiv të saj që po zhvillohej në mënyrë tejet jo transparente në Hagë.