Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Mulaj: Dëshmorët e kombit janë të shenjtë, ata qëndrojnë mbi partitë politike dhe fushatat elektorale!

Mulaj: Dëshmorët e kombit janë të shenjtë, ata qëndrojnë mbi partitë politike dhe fushatat elektorale!

Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së nga Istogu, Besim Mulaj, ka reaguar në lidhje me propozimin e një anëtari të Asamblesë Komunale nga një subjekt opozitar për të futur në rend dite emërtimin e Palestrës së Sporteve me emrin e dëshmorit Mentor Dervishaj.

Mulaj ka thënë se ky është një hap i nxitur i cili bëhet në kohë fushate pa respektuar procedurat dhe bazën ligjore dhe se ka prapavijë politike.

I njëjti ka thënë se e mbështet sqarimin e Kryesuesit të Asamblesë Komunale në Istog.

“E mbështes plotësisht reagimin dhe sqarimin e Kryesuesit të Asamblesë Komunale në Istog, z. Enver Rugova, i cili ishte profesional, njerëzor dhe i bazuar në ligj” ka shkruar Mulaj.

Ai tutje shkruan se ‘dëshmorët e kombit janë të shenjtë, ata qëndrojnë mbi partitë politike dhe fushatat elektorale’.

Reagimi i plotë:

Reagim!

Lidhur me propozimin e një anëtari të Asamblesë Komunale në Istog, nga një subjekt opozitar, për të futur në rend dite emërtimin e Palestrës së Sporteve me emrin e dëshmorit Mentor Dervishaj – dhe atë në kohë fushate, pa respektuar procedurat dhe bazën ligjore – konsideroj se ky është një hap i nxituar, i motivuar nga prapavija elektorale.

E mbështes plotësisht reagimin dhe sqarimin e Kryesuesit të Asamblesë Komunale në Istog, z. Enver Rugova, i cili ishte profesional, njerëzor dhe i bazuar në ligj.

Për mua dhe LDK-në, dëshmorët e kombit janë të shenjtë. Ata qëndrojnë mbi partitë politike dhe fushatat elektorale. Propozime të tilla, me tone elektorale, i konsiderojmë të paqëndrueshme dhe joparimore.

Lavdi të përjetshme dëshmorëve të kombit!

Prof. Dr. Sci. Besim Mulaj