Dënimi në shkallën e parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale, po vazhdon të jetë temë diskutimi.
Në Speciale në Klan Kosova, gazetarja Rina Mujku, e ka komentuar dënimin specifikisht ndaj Rexhep Selimit, i cili ka marrë dënimin më të ulët nga katërshja.
Sipas Mujkut, ndaj Selimit është marrë parasysh si masë lehtësuese edhe sjellja e tij gjatë qëndrimit në paraburgim.
“Fjala është për Rexhep Selimin ekskluzivisht meqenëse edhe në shpalljen e aktgjykimit në përmbledhjen 40 faqe të një aktgjykimit që është 2089 faqe edhe ishte dorëzuar fiks në orën 10:00, pikërisht në orën kur dhe ka nisur shpallja e aktgjykimit më 16 shtator. Natyrisht se kjo do të dalë por nuk do dalin shumë emra të tjerë të cilët janë përfshirë aty, por Rexhep Selimi i cili është i dënuar me 13 vjet burgim për krime lufte… njëra prej rrethanave lehtësuese që i është marrë Rexhep Selimit janë edhe përgjigjet e sinqerta, dhe tani e dimë se bëhet fjalë për intervistat që Selimi i ka dhënë gjatë viteve 2019 por edhe në vitin 2020 në Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, ka thënë Mujku.
Megjithatë, sipas saj, trupi gjykues ka bërë shkelje nëse i ka marrë parasysh vërtetë deklarimet e Rexhep Selimit. “Ka bërë një shkelje e cila nuk është parë dhe nuk është lejuar asnjëherë në gjykatat e tjera ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe Tribunalin për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, sepse një gjë e tillë nuk është e lejuar”, u shpreh mes tjerash gazetarja Rina Mujku. /Klankosova.tv