Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Muja zhytet keq, në përpjekje për të baltosur Bajramin “zbulon” përfshirjen në skandal të Kusari-Lilës

Muja zhytet keq, në përpjekje për të baltosur Bajramin “zbulon” përfshirjen në skandal të Kusari-Lilës

Pak e dinte Muja që njeriu politikisht përgjegjës për kontratën që e kishte fituar kompania “Universal Food” ishte Mimoza Kusari-Lila, bashkëpunëtorja e afërt e tij dhe shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Armend Muja do dëshironte të zbulonte diçka tjetër për kontratat një-burimore të Ministrisë së Tregtisë, në një deklarim të tij të martën në emisionin televiziv “DPT te Fidani”.

Por, në përpjekje për të “goditur” ish-ministren e Tregtisë, tash deputeten Hykmete Bajrami, ai paqëllimshëm ka zbuluar përfshirjen e bashkëpunëtores së afërt të tij Mimoza Kusari-Lilës në një keqpërdorim të dyshuar në Ministrinë e Tregtisë.

Si Kusari-Lila gjatë viteve 2011-2012, edhe Hykmete Bajrami kishte mbajtur poziten e ministres së Tregtisë dhe Industrisë gjatë viteve 2017-2017.

Muja, i cili është lëshuar në ofanzivë për të komprometuar figurën politike të Bajramit, deputetes së LDK-së që po përballet denjësisht me pushtetin e Lëvizjes Vetëvendosje, e ka akuzuar ish-ministren në Qeverinë Mustafa për zhdukjen e mbi dy tonëve grurë gjatë mandatit të saj.

Për të tingëlluar bindës në argumentin e tij, Muja tha se informatat i ka të verifikuara. Tha se në kohën e Bajramit si ministre e Tregtisë, për tri vjet, ishin nënshkruar 15 kontrata një-burimore dhe veçoi njëren prej tyre.

“Njëra nga to, kontrata numër 10-të, ‘Shërbimet e deponimit të grurit si rezervë shtetërore me Universal Food në vitin 2016′. A di çfarë ndodh, dua ta lexoj një paragraf se është me rëndësi, thuhet se ’Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Universal Food për shkak se në vitin 2016 Ministria e Tregtisë i ka dhënë kontratë për 4 mijë e 673 ton grurë në ndërkohë që janë avulluar 2519 ton’”, tha Muja në emisionin “DPT te Fidani”.

Raporti që po lexonte Muja qe bindës. Në fakt, deputeti i mazhorancës po e lexonte një lajm të botuar nga mediat lidhur me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria ndaj një pronari të një kompanie private për zhvatje të pasurisë publike.

Pak e dinte Muja që njeriu politikisht përgjegjës për kontratën që e kishte fituar kompania “Universal Food” ishte Mimoza Kusari-Lila, bashkëpunëtorja e afërt e tij dhe shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Qe pse.

Një historik i shkurtër i procesit që e prodhoi zhvatjen e pasurisë publike

Në vitin 2012, pikërisht në kohën kur Kusari-Lila e drejtonte Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, fabrika e miellit “Universal Food” ishte shpërblyer me kontratën për “shërbimeve të deponimit të grurit si rezervë shtetërore”.

Sipas kontratës, gruri i dedikuar për rezervën shtetërore do të deponohej në kompaninë “Universal Food” Sh.P.K. në Fushë Kosovë.

Një dokument të cilin e ka siguruar Paparaci, tregon se “Universal Food” ishte shpërblyer me kontratë në herën e katërt të rishpalljes së tenderit. Paraprakisht, tenderi kishte dështuar tri herë radhazi për shkak të mungesës të së paku dy ofertave të përgjegjshme, një kërkesë e paraparë me Ligjin e Prokurimit Publik.

Ishte Ministria e Tregtisë që kishte insistuar që kontrata me “Universal Food” të nënshkruhej me arsyetimin në “kohën dhe rëndësinë e projektit” dhe për këtë e kishte njoftuar Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP).

“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë konsideron se çështjet e lartpërmendura paraqesin arsye të mjaftueshme se anulimi i tenderit dhe ritenderimi është i pamundshëm dhe i parealizueshëm për shkak të mbylljes së vitit fiskal për këtë projekt, prandaj në bazë të rrethanave të lartcekura ju njoftojmë për përjashtimin e kërkesës së nenit 32.4 dhe vazhdimin e procedurës së prokurimit sipas nenit 32.5 të Ligjit të Prokurimit Publik”, thuhej në një njoftim që Zyra e Prokurimit të MTI-së ia kishte dërguar KRPP-së.

Pra, MIT-i i udhëhequr nga Kusari-Lila e kishte deponuar rezervën e grurit në fabrikën e miellit “Universal Food” Sh.P.K..

E kur Ministria e Tregtisë tri vite më vonë, nën udhëheqjen e Hykmete Bajramit, kishte përzgjedhur një kompani tjetër për deponimin e grurit të rezervës shtetërore, kompania “Universal Food” Sh.P.K. e kishte vjedhur një sasi prej mbi dy ton grurë.

Pikërisht kompania e shpërbyler nga Mimoza Kusari-Lila, rezultoi përgjegjëse direkte për vjedhjen e rezervave të grurit.

Dhe, pranim-dorëzimi i grurit kishte ndodhur në vitin 2019, kur Hykmete Bajrami nuk kishte qenë ende ministre.

Përderisa Ministria e Tregtisë e kishte deponuar sasinë prej 4.6 ton grurë tek “Universal Food”, me rastin e përfundimit të kontratës, përkatësisht pranim-dorëzimit të grurit më 24 prill 2019, te Ministria kishte dorëzuar vetëm sasinë prej 2,153.890 ton.

Për këtë vjedhje, Prokuroria Speciale e kishte akuzuar pronarin e kompanisë “Universal Food” Sh.P.K. dhe më vonë, më 2021, gjykata e kishte dënuar afaristin turk B.A. me një vit burgim me kusht për “Disponim dhe ndërrim të mallit pa autorizim”.

Kompania “Universal Food” ishte gjobitur me 5 mijë euro gjobë me aktgjykim të gjykatës.