Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja ka bërë të ditur se në seancën e nesërme konstituive të Kuvendit do të votohet për formimin e komisionit për administrimin e procedurës së votimit të fshehtë.
Muja ka thënë se nesër do të shihet nëse opozita e pranon, nuk e pranon, voton kundër apo abstenon për formimin e këtij komisioni siç sipas tij e parasheh vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
“Nesër parashihet të hidhet në votim formimi i Komisionit i cili do ta administrojë procedurën e votimit të fshehtë, pra nuk kemi ardhur ende te kandidati aty. Për ta sqaruar nesër votohet nëse opozita e pranon ose nuk e pranon voton kundër abstenon ose voton për siç parasheh vendimi i Gjykatës Kushtetuese për formimin e komisionit për administrimin e procedurës së zgjedhjes së kryekuvendarit përmes votimit të fshehtë ashtu siç parasheh dhe e mundëson aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014 ashtu siç e parasheh edhe rregullorja e Kuvendit neni 60 pika 4 e rregullores së Kuvendit. Është një votim edhe konform frymës së letrës të presidentes që e tha e dërgoi pas kryesuesi i seancës Dehari iu drejtua presidentes për një rrugëdalje nga kjo situatë dhe ç’është e vërteta edhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese te rregullorja e Kuvendit është që iu takon deputetëve të gjejnë forma për konstituimin e Kuvendit”, ka thënë Muja në Tëvë1.
Të dielën ka dështuar për të 13-të herën propozimi i kryesuesit Avni Dehari, që nga votimi i hapur të kalohet në votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.