Analisti politik Arton Muhaxheri ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Albin Kurti lidhur me aktakuzën ndaj ministres Rozeta Hajdari. Në një prononcim për TV Arbëria, ai kritikoi kryeministrin për qëndrime të dyfishta ndaj Prokurorisë Speciale.
I pyetur se si shpjegohet fakti që Kurti e lavdëron Prokurorinë Speciale për hetime të ndërlikuara – si ato për sulmin në Banjskë apo për rastin Ibër–Lepenc, edhe në bashkëpunim me amerikanët – por e kritikon atë në rastin e aktakuzës ndaj ministres Hajdari, Muhaxheri tha se kjo tregon standarde të dyfishta në vlerësimin e kryeministrit.
Sipas tij, “Nuk është hera e parë që Kurti vepron me dy standarde për situata të ngjashme. Këto standarde të dyfishta aktivizohen vetëm kur drejtësia merret me njerëzit e qeverisë së tij – përndryshe nuk do të kishte asnjë problem me Prokurorinë”.
Ai theksoi rëndësinë e pavarësisë së drejtësisë në çdo fazë të shtetformimit të vendit.
“Në çdo fazë të shtetformimit tonë ka qenë thelbësore që politika dhe njerëzit me pushtet të mbajnë duart larg drejtësisë. Paramendojeni sikur ndonjë prokuror apo gjyqtar t’i tregonte Kurtit se si duhet të marrë vendimet e tij – do të ishte e papranueshme. Po aq e papranueshme është që edhe Kurti të ndërhyjë në punën e sistemit të drejtësisë, qoftë edhe kur ai vetë apo ministrat e tij janë subjekt i hetimeve”.
Muhaxheri shtoi se ndërhyrjet e kryeministrit krijojnë përshtypjen e dyshimeve të brendshme.
“Nëse çështjet dalin të pastra nga organet e drejtësisë, ai nuk ka pse të brengoset. Por ndërhyrja, qoftë drejtpërdrejt apo tërthorazi, krijon përshtypjen se ekziston një lloj frike apo dyshimi”.
Ai theksoi se reagimi i Kurtit këtë herë është i pajustifikuar.
“Sikur Kurti të kishte reaguar për zvarritjen e rasteve me vite, mund të kuptohej. Por në këtë rast ai po ndërhyn drejtpërdrejt në përmbajtën e punës së profesionistëve të drejtësisë – gjë që nuk i takon”./TVArbëria