Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Muharremaj këmbëngul që Thesari ia bllokoi llogaritë komunës, e publikon emailin që iu dërgua

Muharremaj këmbëngul që Thesari ia bllokoi llogaritë komunës, e publikon emailin që iu dërgua

Kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, në emisionin “Frontal” të T7, ka folur për bllokimin e llogarive të kësaj komune. Ai ka thënë se kontrata kolektive nuk është obligative ndaj komunave.

“Kontratën kolektive e ka nënshkruar Qeveria e Kosovës dhe qeveria duhet të vazhdojë kontratat që i ka nënshkru me i implementu në jetën e përditshme”, tha Muharremaj.

Muharremaj shtoi se ky problem është në të gjitha komunat e Kosovës.

Ai tha se sot ka përuruar sallën sportive në fshatin Sopi e para një jave një shkollë.

“Kam obligime se s’kam mujt me i lëshu mjetet pa përfundu punimet. Jemi duke vazhduar rrugët në qytet. Rruga “Skënderbeu” që kushton përafërsisht 1 milion euro, jemi në përfundim. Edhe aty kemi mungesë të mjeteve financiare. Kemi mungesë edhe nëpër fshatra që janë kryer punimet dhe tash duhet të bëhen pagesat, cka ndodhë? Në qoftë se operatorët ekonomikë me përfundimin e kontratave mujnë me na paditë, me shku përmes përmbaruesit dhe kjo shifër me u rritë për 40 për qind. Këtu kush fiton? As na nuk fitojmë, as qeveria. Në fund, buxheti i komunës dhe buxheti i shtetit janë para të taksapaguesve, nuk janë para tona personale, mirëpo ne i menaxhojmë”, tha ai në “Frontal”.

Ai u pyet për deklaratën e ministrit Murati se llogaritë e komunave nuk bllokohen nga Qeveria por nga përmbaruesi dhe me vendime të prera gjyqësore.

Muharremaj prezantoi një dokument ku shihet emaili që sipas tij është nga Thesari i shtetit.

“Ne kemi email zyrtar. Ky nuk më ka ardhë prej përmbaruesit, ky ka ardhë prej thesarit të Ministrisë së Financave”, tha ai.

Këtë email e lexoi autori i emisionit “Frontal”, Arsim Lani.

“Sigurisht që keni informacionin por dëshiroj të ju njoftoj se me kërkesë të menaxhmentit dhe duke u bazuar në nenin 40, sot me datë 28.10.2024 qasjet për të gjithë zyrtarët financiarë për debitorin Komuna e Suharekës janë pasive derisa të procedohen vendime gjyqësore përmbarimore. Faleminderit për mirëkuptim”, tha ai.

“Udhëheqës i divizionit, Thesari i Kosovës, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Republika e Kosovës”, lexoi më tutje Lani.

Mirëpo, sot ministri i Financave, Hekuran Murati tha se bllokimi i xhirollogarive është bërë nga përmbaruesit dhe se Thesari vetëm e ka njoftuar komunën për këtë.

“Në vazhdimësi kemi parë nga eksponentë qoftë nga Asociacioni i Komunave, qoftë edhe nga niveli lokal, që të bëhet bartja e fajit. Qeveria nuk bllokon llogari, dmth në qoftë se ka shku njoftimi prej Thesarit që po bllokohen llogaritë, është ngjashëm sikur me pretendu edhe me thanë që Thesari i ka blloku, është ngjashëm sikur me pretendu që kur të vjen mesazhi që të ka dalë paga bë bankë, banka ta ka qit pagën, por në fakt punëdhënësi e ka qit, por banka vetëm të njofton. Edhe në këtë rast, Thesari është banka e komunave, që i njofton për veprimet që ndërmerren dhe nuk ka bllokim të llogarive të tilla”, ka deklaruar Murati. /GazetaExpress/

Powered by WordPress