Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) e Kosovës, përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, ka njoftuar se Gjykata e Lartë në Suboticë ka vendosur vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Arbnor Spahiut për 30 ditë të tjera.
Spahiu u arrestua më 7 qershor 2025 dhe ndaj tij u shqiptua paraburgim fillestar më 9 qershor. Prokuroria e Suboticës ka hapur procedurë penale lidhur me rastin e Banjskës, por sipas avokatit mbrojtës nuk janë paraqitur prova të besueshme që rëndojnë pozitën e tij.
Avokati ka dorëzuar dokumente që dëshmojnë se Spahiu kishte lënë Policinë e Kosovës vite më parë, duke kërkuar drejtësi në rastin e tij.
MPJD njofton gjithashtu se familjarët e Spahiut do ta vizitojnë atë nesër në Suboticë dhe do ndalojnë në Beograd për takim me përfaqësues të Zyrës Ndërlidhëse. Kjo e fundit do të paraqesë kërkesë për leje vizite dhe do të mbajë kontakt të vazhdueshëm me familjen, duke rikonfirmuar përkushtimin për trajtim të drejtë dhe transparent të rastit në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.