Sekretari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli tha se ka marrë një vërejtje me shkrim nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Haxholli tha se përmes një postimi në Facebook se vërejtja ka të bëjë me deklarimet e tij.
“Për reagimet dhe deklarimet e mia të vazhdueshme në mbrojtje të interesit publik, qytetarë dhe para së gjithash në mbrojtje të interesit shtetëror, unë sapo mora një Vërejtje me shkrim nga MPJD. Njëherësh për dallim prej pafund rekomadimeve, referencave, e vlerësimeve, në MPJD dhe jashtë saj, kjo është Vërejtja e parë në përvojen time profesionale, institucionale. Uroj që kjo të jetë edhe e fundit”, shkroi Haxholli.
Në vend të kësaj, ai tha se pritur të vlerësohej dhe avancohej për shkak të qëndrimeve të tij.
“Më duhet ta them që nuk kam pritur që duke qenë i zëshëm kundër veprimeve të Serbisë, do të vlerësohem apo avancohem në ndonjë mënyrë, dhe as që ka qenë qëllim i imi diçka e tillë, por më duhet ta them dhe ri-përserisë, që edhe sikur masa korigjuese ndaj meje të ishte vet suspendimi dhe largimi nga MPJD, në asnjë rast, nuk ushqej asnjë dilemë, që në të gjitha komunikimet e mia pararake, unë të veproja njësoj, përsëri”, shkroi ai.
Haxholli i ka kërkuar shpjegim MPJ-së.
“Për fund, përderisa në Serbi bëhet garë se kush prononcohet më shumë dhe më ashpër kundër Republikës së Kosovës, pa asnjë argument dhe pa asnjë të drejtë, me mirëkuptim do t’i kërkoja hirearkisë së MPJD-së, porositësit dhe shqiptuesit, se ku, kur dhe në cilin aspekt, deklarimet e mia kanë shkuar ndesh me mandatin e Zyrës dhe me prioritetet e MPJD-së”, shkroi ai.
“Në mungesë të një arsyetimi eventual përmbajtësor, unë Vërejtjen ndaj meje me dokumente/dëshmi shoqëruese sikurse jane postimet e mia bashklidhur asaj, do t’i mbaj si si Referencë dhe Rekomandim, e kësisoj nuk do t’i ankimoj juridikisht”, shtoi Haxholli.
Duke shprehur njëfarë habie në fund, ai i thotë MPJ-së: “Ju falenderoj që së paku përmes Vërejtjes njohët punën time, sepse në një kulturë ndëshkuese dhe përjashtuese, do të befasohesha vetëm nga një mirënjohje a vlerësim!”.
Haxholli reagoi mbrëmë për arrestimin e një qytetari nga Kosova në Serbi për “krime lufte”, duke shkruar ndër tjerash se “të vetmit që kanë bërë krime në Kosovë, Koshare, ku forcat miltare dhe paramilitare pësuan fiasko, janë forcat serbe, dhe nëse dikush duhet ndjekur për krime lufte në Kosovë dhe Koshare, ai do të duhej të jetë pjesëtarë i atyre forcave”.