Shkruan: Afrim Kasolli
Ashtu siç pritej, kryeministri Kurti, ka filluar t’i përdor të gjitha resurset që i ka në dispozicion për zgjedhjet që do të mbahen me 9 shkurt të vitit të ardhshëm. Para pak dite mori vendim për rritjen e pensioneve nga muaji tetor për 20 përqind. Sipas kësaj ngritje “pensioni bazik i moshës do të rritet në 120 euro, pensioni kontribut pagues për kategorinë e parë do rritet në 218 euro, për kategorinë e dytë 237 euro, për të tretë 256 euro dhe për të katërtën 318 euro”.
Në linjë të këtij motivi elektoral ai e njoftoi opinionin edhe sot se qeveria e tij do ta rris njësinë e koeficientit në muajin janar dhe korrik, e cila do të përkthehet me rritje të pagave për të punësuareve në sektorin publik, përkatësisht 55 euro fillimisht dhe 110 euro me rastin e ngritjes së dytë.
Gjatë ekspozesë së tij për këtë vendim, shefi i Qeverisë tentoi të konsiderojë atë si një përfundim të natyrshëm të rritjes së gjithanshme ekonomike. Pra sipas tij, ekonomisë së Kosovës çdo vit i janë shtuar nga 1 miliardë euro dhe se vitin e ardhëm këtij 10 miliardëshi i shtohet 11 miliardëshi .
Në këtë konferencë kryeministri Kurti nuk la pa përmendur edhe një herë rritjen e pensioneve. Mirëpo, mënyra e se si e lëvdonte këtë veprim e shpërfaqte logjikën tallëse dhe ofenduese me këtë kategori dhe manipulimin me shifra për të mbuluar dështimin real. Në mungesë të argumenteve se si kjo rritje do të përkthehej në përmirësim të jetës konkrete, kryeministri e zhvendos theksin te shuma totale e kësaj rritje duke deklaruar se tashmë 110 milionë euro në vit do të jenë më shumë për pensionenistët, duke e anashkaluar plotësisht shkallën e inflacionit që e zhvleftëson këtë rritje
E njëjta logjikë e karakterizon edhe vendimin e fundit. Ajo nuk është marrë si reflektim i presioneve ekonomike që janë krijuar gjatë këtij mandati qeverisës, por nga detyrimet elektorale. Sepse, këtu duhet kujtuar se vetëm në vitin 2022 norma mesatare e inflacionit kishte shënuar një rritje rekord deri në 12 përqind. Me 2023 dhe këtë vit ndonëse trendët ishin rënëse, mirëpo e njëjta gjë nuk kishte ndodhur edhe çmimet. E të mos flasim për rritjen e pragut të varfërisë ekstreme sipas UNDP-së,, ku “teksa në vitin 2021, 38.8 për qind e ekonomive familjare shpenzuan 200 ose më shumë euro për gjëra ushqimore kjo vlerë u rrit në 47.8 për qind dhe deri në 59.5 për qind të ekonomive familjare në vitet 2022 respektivisht 2023”
Por duke qenë se në përqindje as kjo ngritje nuk i kompenson koston e rritjes së shpenzimeve, kryeministrit edhe në këtë rast u përkujdes të flas për shifra milionëshe të Qeverisë, ku krahas atyre të pensioneve dhe shtesave, kësaj kosto do t’i shtohen dhe 120 milionë euro duke bërë që Qeveria t’i “ndihmojë” qytetarët e Kosovës me 280 milionë euro më shumë
Ndërkohë, se pse këto vendime pavarësisht trumbetimit nominal nuk paraqesin asnjë ndryshim real e dëshmon një fakt tjetër. Vetëm gjatë vitit 2023, shuma e mbitërheqjeve bankare për nevojat konsumuese ishte 471.8 milionë euro. /tvarbëria/