Presidentja e Kosovës Vjosa Osmnai ka marr ftesë për pjesëmarrje në inaugurimin e presidentit të Shteteve të bashkuara të Amerikës, Donald Trump, mirëpo ajo nuk mori pjesë vetë në këtë ngjarje, por e dërgoi një delegacion nga kabineti i saj.
Lidhur me këtë temë në një prononcim për TV Arbëria ka folur Hisen Berisha, deputeti nga PDK-ja.
Ai ka thënë se ky veprim nga presidentja Osmani ngre një pikëpytje serioze.
“Mospjesëmarrja e Vjosa Osmanit në inaugurimin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, megjithëse e ftuar, përbën një akt që ngre pikëpyetje serioze mbi qasjen dhe vlerësimin e saj ndaj marrëdhënieve strategjike me partnerin më të rëndësishëm të Kosovës. Në politikën ndërkombëtare, veprime të tilla nuk janë zgjedhje thjesht personale, por bartin domethënie diplomatike që përçojnë sinjale politike dhe ndikojnë në perceptimin e shtetit që përfaqëson lideri”, ka thënë Berisha.
Sipas deputetit nga PDK-ja, liderët nga e gjithë bota në këtë ngjarje kanë një mundësi për të treguar respekt për demokracinë amerikane dhe për të forcuar lidhjet strategjike.
“Një ngjarje e një rëndësie të tillë si inaugurimi i një presidenti amerikan nuk është vetëm ceremoni simbolike, por edhe një përmbushje e traditës demokratike të transferimit të pushtetit në shtetin më të fuqishëm të botës. Pjesëmarrja e liderëve nga e gjithë bota në këtë ngjarje është një mundësi për të treguar respekt për demokracinë amerikane dhe për të forcuar lidhjet strategjike. Refuzimi për të marrë pjesë, sidomos kur ftesa ka qenë e konfirmuar, mund të perceptohet si një nënvlerësim i këtyre vlerave dhe një distancim nga aleancat tradicionale me SHBA-në”, ka thënë ai.
“Në këtë kontekst, disa sugjerojnë se refuzimi mund të jetë ndikuar nga natyra e ftesës, e cila nuk vinte nga niveli presidencial, por nga kongresmenë të caktuar, çka mund të ketë ndikuar në perceptimin e Osmanit se trajtimi protokollar nuk ishte në përputhje me ambiciet e saj personale. Por kjo qasje ngre shqetësime të thella, sepse në diplomacinë serioze, egoja dhe statusi personal nuk mund të vendosen mbi interesin shtetëror. Një lider që përfaqëson një vend si Kosova nuk mund të lejojë që ndjeshmëria ndaj protokollit të prevalojë mbi nevojën për të ruajtur marrëdhëniet jetike me një aleat strategjik si SHBA-ja”, tha tutje Berisha.
Berisha theksoi se veprime të tilla në politikën ndërkombëtare nuk janë zgjedhje thjesht personale, por bartin mesazhe diplomatike dhe ndikojnë në perceptimin e shtetit që përfaqëson lideri. Ai shtoi se, ndërsa disa liderë mund të kenë pasur pengesa financiare apo elektorale që i kanë penguar të marrin pjesë në ngjarje të tilla, refuzimi i Osmanit për arsye prestigji tregon një mungesë të pjekurisë politike dhe një injorim të rëndësisë që ka pjesëmarrja në këtë ceremoni.
Berisha e konsideron këtë vendim si një reflektim të mungesës së respektit dhe besimit që ka administrata e Kosovës ndaj SHBA-ve. Ai paralajmëroi se pasojat e kësaj sjelljeje mund të thellojnë hendekun diplomatik dhe të përkeqësojnë pozitën ndërkombëtare të Kosovës në një periudhë kyçe për forcimin e shtetësisë së saj.
“Ndryshe nga ata që nuk kanë mundur të marrin pjesë për shkak të sfidave financiare apo elektorale, refuzimi për arsye prestigji shpreh mungesë të pjekurisë politike. Ky vendim, bashkë me veprime të tjera të qeverisë aktuale, reflekton se sa pak respekt dhe besim ka në këtë udhëheqje nga administrata amerikane. Pasojat e një sjelljeje të tillë thellojnë hendekun diplomatik dhe e përkeqësojnë pozitën ndërkombëtare të Kosovës në një moment vendimtar për afirmimin dhe forcimin e shtetësisë së saj”, ka thënë Hisen Berisha. /TV Arbëria