Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Mospajtimet “konstante” të Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare

Mospajtimet “konstante” të Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare

Shkruan: Afrim Kasolli

Nuk ka iluzion më të madh, se sa supozimi se Kosova ka qenë vazhdimit në harmoni të plotë me bashkësinë ndërkombëtare për ta ardhmen politike të saj. Përkundrazi, pjesën më të madhe të këtyre raporteve i karakterizuar një mospajtim “konstant” se cila është zgjidhja më e drejtë e për çështjen e Kosovës.

Duke filluar nga referendumi i vitit 1991 qëllimi themelor i Lëvizjes së shqiptarëve të Kosovës u bë pavarësia. Një kërkesë të tillë krahas vullnetit popullor, ish-drejtuesit politik të vendit e artikuluan duke u bazuar edhe në të drejtat legale që i gëzonte Kosova si entitet i ish-federatës Jugosllave, që kishin qenë të brendashkruara në Kushtetutën e vitit 1974.

Mirëpo, pikërisht ky argument u refuzua nga Komisioni i Badinterit në raportin e vitit 1992. Sipas këtij interpretimi , Kosova nuk ishte Republikë, prandaj nuk kishte të drejtë për Vetëvendosje Konstitucionale. Në këtë mënyrë, fati kolektiv i shqiptarëve u la në mëshirë e proceseve të brendshme të Serbisë. Madje, disa herë shqiptarëve të Kosovës u ishte bërë presion që të bëheshin pjesë e zgjedhjeve të brendshme në këtë shtet, më qëllim rrëzimin e regjimin e Milosheviqit, si parakusht për rifitimin e të drejtave të tyre autonome politike, njerëzore dhe kulturore . Ofertë kjo që u shpërfill nga klasa politike e kohës.

Diplomatë dhe përfaqësues të shteteve më të fuqishme të botës perëndimore në vazhdimësi e potenconin paprekshmërinë e integritetit territorial të ish-Jugosllavisë të përbërë nga Serbia dhe Mali i zi. Kurse këtë absolutizim të sovranitetit shtetëror, Milosheviqi e kishte kuptuar si mbështetje për politikën e tij shtypëse në Kosovë, shkeljen e të drejtave të njeriut dhe aparteidit. E ky afirmim i kufijve të jashtëm të ish-federatës jugosllave, bazohej në një shpresë naive nga përfaqësuesit ndërkombëtarë mbi domosdoshmërinë e demokratizmit të Serbisë.

Natyrisht, ishte kjo koha kur në skenën ndërkombëtare dominonte një optimizëm i pashoq mbi triumfin e demokracisë liberale. Lufta e ftohtë kishte përfunduar. Kurse teza filozofike mbi “Fundin e Historisë”, e artikuluar nga teoricieni i njohur amerikan Francis Fukujama ishte bërë dominante në diskursin politik të kohës. Sipas kësaj skeme mentale, rendi liberal-demokratik dhe ekonomia e tregut tash e tutje nuk do kenë më alternativa serioze ideologjike. Të gjitha opsionet tjera ishin diskredituar gjatë procesit evolutiv të historisë. E nxitur nga këto postulate doktrinare, bota kërkonte nga shqiptarët e Kosovës, që të prisnin demokratizimin e domosdoshëm të Serbisë. Dhe në fund qëllimet e tyre politike do të akomodoheshin me automatizëm. Mirëpo, fillimisht luftërat e nxitura nga Beogradi në Kroaci dhe më pastaj në Bosnje, dhe në vitin 1998-99 në Kosovë, e bindën më fund komunitetin ndërkombëtar se sa iluzore ishte shpresa e tyre se ky problem mund të zgjidhej nga demokratizimi i brendshëm i Serbisë.

Kjo edhe ishte arsyeja që në fund Aleanca Veri-Atlanatike u detyrua të intervenonte ushtarakisht në vitin 1999 kundër caqeve ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, të njohura këto për spastrimin e etnik, kurse pas përfundimit të negociatave të Vjenë për statusin e Kosovës në vitin 2007, i dërguari i posaçëm të OKB-së, ish-Presidentit Martti Ahitisari, të deklaronte se “duke marrë parasysh sjelljen e shtetit serb ndaj qytetarëve shqiptarë të Kosovës në të kaluarën, atëherë çdo opsion tjetër pos pavarësisë do të ishte i pamundur”.

Në këtë drejtim, nuk është e vërtetë se vetëm gjatë qeverisjes së Albin Kurtit kanë lindur mospajtime dhe tensione me bashkësinë ndërkombëtare. Apo se në të kaluarën çdo opsion që i është prezantuar drejtueseve politikë të vendit është pranuar më lehtësi të padurueshme nga sensi i servilitetit ekstrem ndaj te parëve, kurse kryeministri aktual është lideri i vetëm që po reziston ndaj presioneve të padrejta ndërkombëtare. Përkundrazi, rrugëtimi historik i Kosovës deri këtu ka qenë shumë më i komplikuar.

Mirëpo, shtrohet pyetja si arriti ish-klasa politike e vendit që këtë qëndrim shpërfillës ndaj kërkesave të drejta të shqiptarëve ta përkthej në përkrahje në fund për çlirim dhe pavarësi? Dhe këtu përpos sjelljeve të Serbisë, duhet kujtuar faktin se e para u përkujdes që ato opsione që i pranonte, si Marrëveshja e Rambujes, Plani i Ahtisarit, etj në fund të mos mbetej fajtore për dështimin e realizimit të tyre. Por që kjo barrë të binte mbi Beogradin dhe gjithë presioni të zhvendosej mbi këtë të fundit, si palë që i sabonte përpjekjet diplomatike të Perëndimit, për paqe dhe zgjidhje të konfliktit. Dhe strategjikisht kjo qasje u tregua efektive.

Ndërkohë, më shumë se sa mospajtimet me Perëndimin në të vërtetë është kjo cilësi që aktualisht e ka humbur Kosova. Pra sot mbi të bie barra e hapit fillestar në drejtim të zabitit të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, si të asaj bazë të Brukselit ashtu edhe aneksin e zbatimit te Ohrit, të pranuar nga liderët e të dy vendeve, për tu pasuar më pastaj nga Beogradi. Dhe për aq kohë sa këto kushte janë dominuese, ekziston rreziku që për herë të parë Kosova të mbetet fajtore për dështim të procesit të dialogut me Serbinë. Një humbje kjo që do të ishte me pasoja fatale. /TV Arbëria