Insistimi i Qeverisë së Kosovës për hapjen e urës mbi lumin Ibër, për qarkullimin e automjeteve, mund ta çojë Kosovën drejt masave të reja, shkruan TV Arbëria.
Bashkimi Evropian ka paralajmëruar masa të reja ndaj Kosovës.
“Masat u vendosën vjet për faktin se shumëçka po ndodhte çonte në përshkallëzim dhe në vend të hapave që çonin drejt depërshkallëzimit janë ndërmarrë edhe më shumë hapa të njëanshëm që çojnë në përshkallëzim nga ata njerëz. Ne e kemi thënë atëherë se këto masa mund të zgjaten apo të hiqen pavarësisht zhvillimeve të situatës. Pra, çfarë do të bëjmë? Kemi masa në fuqi dhe këto masa mund të shtohen nëse aktorët evropianë pajtohen se ato duhet të shtohen”, ka deklaruar Peter Stano, zëdhënësi i BE-së.
Krejt kjo nga dy veprime nga Qeveria e Kosovës, që BE i ka cilësuar të pakordinuara dhe që rrezikojnë që të përshkallëzohet situata. Aksioni i Policisë së Kosovës në veri të vendit, ku u mbyllën nëntë objekte të Postës së Serbisë dhe tema e hapjes së urës së Ibrit janë dy veprimet që kanë nxitur shumë reagime jo vetëm vendore por edhe nga ndërkombëtarët, e që çuan deri tek vënja në diskutim temën e masave të reja ndaj Kosovës, shkruan TV Arbëria.
Këto dy tema janë pasuar me reagime e kritika të shumta ndaj Qeverisë së Kosovës, duke filluar nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë, Ambasada e Gjermanisë, KFOR-i, gjithashtu edhe Franca ka reaguar kundër këtyre veprimeve. Qeveria e Kosovës po kritikohet për moskordinim dhe veprime të njëanëshme nga vendet e përmendura më lartë.
Përderisa po flitet për masa të reja, Kosova është ende nën masa ndëshkuese nga BE-ja. Pavarësisht që raporti i përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell rekomandonte heqjen e tyre, BE-ja nuk pati vullnet për një gjë të tillë.
Në mbledhjen e 19 qershorit në Komitetin për politikë dhe siguri të BE-së mes shteteve anëtare të këtij unioni, nuk pati një dakordim të plotë për heqjen e masave ndaj Kosovës, por u vendos që këto masa të hiqen gradualisht dhe pjesërisht.
Në ndërkohë jemi në një kohë që po bisedohet për mundësin e vendosjes së masave të reja nëse Qeveria e Kosovës vazhdon me vendime të njëanëshme dhe pakordinim me ndërkombëtarët.
Kujtojmë se masat aktive ndaj Kosovës janë vendosur në qershor të vitit të kaluar(2023), pasi BE-ja konsideronte se Kosova nuk kishte bërë mjaftueshëm për stabilizimin e situatës në veri të vendit pas zgjedhjes së kryetarëve në katër komunat veriore, dhe trazirave që u krijuan atje nga serbët lokal në atë kohë. /TV Arbëria