Duke filluar nga 1 janari 2025, çmimet e sigurimit të detyrueshëm të mjeteve në Shqipëri do të ndryshojnë dhe do të jenë të diferencuara, bazuar në një listë faktorësh që ndikojnë në rrezikun për të shkaktuar dëme.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka miratuar rregulloren për përcaktimin e faktorëve të riskut që do të përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit në sektorin e transportit.
Faktorët e riskut që do të merren parasysh janë: historiku i aksidenteve, përfshirë edhe rastet kur shkaktari i aksidentit nuk është i shënuar në policën e sigurimit; fuqia motorike e mjetit; mosha e drejtuesit të mjetit; eksperienca në drejtimin e mjetit motorik; përdorimi i mjetit nga një subjekt apo nga një individ; qarku i regjistrimit të mjetit; vjetërsia e mjetit.
Këta faktorë risku do të përdoren për përllogaritjen e primave të sigurimit për autoveturat, por jo për sigurimet kufitare dhe kartonin jeshil.
Shoqëritë e sigurimit do të kenë autonomi në përcaktimin e tarifave, por do të kenë detyrimin për të njoftuar AMF-në për çdo ndryshim, pa e ndryshuar tarifën më shumë se dy herë në vit.
Shoqëritë e sigurimit duhet të publikojnë në faqen zyrtare të internetit të gjitha rregulloret dhe tarifat përkatëse gjatë gjithë periudhës së zbatimit, koeficientët e faktorëve të riskut, shoqëruar me raste të zbatimit të tyre në praktikë, si dhe primet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit./JOQ Albania