Alvaro Morata e ka shprehur gëzimin e tij pas trofeut të kampionit të Europës, të cilin si kapiten i Spanjës e ngriti lartë mbrëmë pas fitores 2:1 ndaj Anglisë, në ndeshjen finale të Berlinit.
“Në këtë Europian më është dashur t’i vishja teshat e muratorit dhe të bëja shumë punë. Jam krenar me atë që e kam bërë në karrierën time me Kombëtaren. Mendoj se e kam merituar këtë kupë pikërisht sepse nuk jam dorëzuar kurrë”, deklaroi sulmuesi i Atletico Madridit në bisedë me “Sky Sport”.
“Jemi një grup mjaft solid, ishte një atmosferë fantastike në këto javë. Ndonjëherë më është dashur të ngrisja zërin më shumë, por këta djelmosha janë të mirë dhe në fund e merituam të gjithë që të buzëqeshnim”, përfundoi Morata, i cili gjatë kësaj jave mund të transferohet tek Milani.
Spanja e siguroi titullin e katërt të kampionit të Europës, kurse Anglia mbeti pa trofe, derisa e humbi finalen e dytë radhazi.