Shkruan: Afrim Kasolli
Para pak dite mediat njoftuan se në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, është vendosur që tre kryetarë të komunave të kësaj partie do të jenë në lista të kandidatëve për deputetë. Bëhet fjalë për kryetarin e Pejës, Gazmend Muhaxherin, atë të Fushë-Kosovës Burim Berisha dhe Imri Ahmetin, kryetarin e Lipjanit.
Një lëvizje e tillë kuptohet që mund të jetë e kushtëzuar nga kalkulimi se në këtë mënyrë do të shtohen edhe votat për subjektin politik. Dhe se duke i përdorur këta emra me ndikim në këto komuna edhe në lista zgjedhore, po ashtu edhe partia do të dalë më mirë.
Këtë fakt e pranoi edhe Imri Ahmeti, Kryetari i Komunës së Lipjanit. Ai deklaroi se ka një vullnet në kryesi se shumica e kryetareve të komunave nga kjo parti duhet të jenë në listë për deputet, për shkak të peshës dhe rëndësisë që kanë zgjedhjet dhe natyrisht për shkak të mbështetjes së madhe që kanë kryetarët e komunave që vijnë nga LDK. Po ashtu, ai pohoi se do të jetë edhe vetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetet, por se nuk do ta ushtrojë këtë veprimtari.
Mirëpo, shtrohet pyetja sa është i sinqertë një veprim i tillë në aspektin politik dhe qytetar? Sepse siç dihet për shkak të natyrës së sistemit politik në Kosovë nuk mund të ushtrohen të dy detyrat politike. Pra secili nga emrat e apostrofuar ose janë të detyruar të japin dorëheqje nga pozitat e kryetarëve të komunave, pra ta ndërpresin mandatin për të cilën janë votuar me herët dhe të mos e çojnë atë deri në fund, ose nëse vendosin që ta ruajnë pozitën e të parëve të qytetit duhet ta dorëzojnë mandatin e fituar të deputetit te dikush tjetër. Në secilën prej zgjedhjeve që do ta bëjnë, në njërën prej tyre kanë kërkuar vota për pozita që nuk do t’i ushtrojnë.
Prandaj, me këtë lëvizje ata që do të jenë të mashtruar do të jenë qytetarët, sepse do t’u ofrohet në menynë elektorale një ofertë që nuk do të jetë reale. Për më shumë ajo nxjerr në sipërfaqe edhe dështimin e reformave të brendshme në parti. Sepse janë të njëjtit njerëz që i fitojnë si zgjedhjet lokale dhe të cilët duhet të përdoren edhe për fuqizim të votave partiake. E, kështu në vend të demokratizmit e pluralizmit partiak, pushteti i brendshëm vazhdon të jetë i monopolizuar nga të njëjtat struktura. Dhe në këtë mënyrë vetëm sa pengohet dhe bllokohet afirmimi i figurave të reja partiake nga poshtë –lartë./TvArbëria