Policia e Kosovës ka arritur që të arrestojë një person në Fushë Kosovë gjatë aksionit policor ndaj grupit të grabitësve.
Numri i të arrestuarve për rastin e grabitjes në Therandë ka shkuar në shtatë, e sipas njoftimit të fundit të Policisë së Kosovës, një tjetër i dyshuar është neutralizuar e një tjetër gjendet në arrati.
Vrasje, grabitje, vjedhje e rëndë, sulm, kanosje, lëndim trupor, detyrim e armëmbajtje pa leje janë vetëm disa prej veprave penale që Policia e Kosovës ka thënë se janë kryer ndër vite nga grupi i personave të dyshuar për rastin e grabitjes së armatosur në Suharekë.
Një aksion policor, në tri lokacione që përfshijnë Prishtinën, Fushë Kosovën e Carralevën është realizuar sot në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren.
Nga ky aksion policor, një polic mbeti i lënduar, e që gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetë, përderisa njëri nga të dyshuarit u neutralizua gjatë zhvillimit të aksionit policor.
Policia ka thënë se njëri nga të dyshuarit ka shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë duke ua rrezikuar drejtpërdrejt jetën e tyre.
Shkrepja e armës nga i dyshuari, sipas PK-së, bëri që të mbes i plagosur edhe zyrtar policor.
Më pas, policët që ishin prezent në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin forcën proporcionale, duke arritur të neutralizojnë një të dyshuar, përderisa katër të dyshuar të tjerë janë arrestuar.
Sipas Policisë, deri më tani numri i të arrestuarve ka shkuar në shtatë persona, një i neutralizuar dhe një tjetër që ende gjendet në kërkim policor.
Tutje në njoftimin e Zyrës për Media të Policisë u tha se veprimet hetimore intensive të policëve janë duke u kryer në vazhdimësi që nga data 22 nëntor, ditën kur të dyshuarit gjatë grabitjes kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë.
Sipas PK-së, si rezultat i hetimeve të pandërprera fillimisht u arrestuan tre persona të dyshuar për ndihmë në kryerje të veprës penale të grabitjes.
Dy prej tyre janë në paraburgim, përderisa një tjetër u lirua në procedurë të rregullt.
Policia njoftoi se pas hetimeve intensive dhe mbledhjes së dëshmive, sot në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Carralevë u realizua operacioni policor, i cili ka përfshirë kontrollin në shtatë lokacione të ndryshme, me qëllim të identifikimit dhe arrestimit të personave të dyshuar.
Ndryshe, më 22 nëntor ka ndodhur një plaçkitje e armatosur në një argjendari në qytetin e Suharekës. Në tentativën për ta parandaluar plaçkitjen, është plagosur një polic. Nga ky incident, përveç një polici të plagosur, kishte mbetur edhe një tjetër i lënduar.
Gjykata e Prizrenit ka vendosur një muaj paraburgim për dy të dyshuarit në lidhje me rastin e grabitjes në një argjendari në Therandë.
Të dy të dyshuarit, Albin Beqiri dhe Fatmir Tahiri, dyshohen për ndihmë në kryerjen e grabitjes së armatosur. Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit gjatë një seance paraprake në Gjykatën e Prizrenit, ndërsa të dyshuarit janë dërguar në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz.
Video raportimi i KALLXO.
/TV Arbëria