Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Molliqaj: Specialja, “monstrum juridik” që përndjek vetëm UÇK-në

Molliqaj: Specialja, “monstrum juridik” që përndjek vetëm UÇK-në

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardnan Molliqaj, e quajti Gjykatën Speciale një “monstrum juridik” i cili duhet të ndalet duke ndryshuar ligjin e saj. Sipas tij, Specialja nuk e ka për qëllim drejtësinë por dënimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Molliqaj, që e quajti dënimin e Salih Mustafës absurd, tha se Specialja na ka mësuar se liria mund të fitohet një herë por duhet të mbrohet çdo ditë e çdo herë. Ai u shpreh se në momentin që s’e mbrojmë atë, liria edhe shtrembërohet por edhe rrezikohet.

Gjithashtu, duke iu referuar partisë më të madhe në Kuvend, Lëvizjes Vetëvendosje, që e kishte kundërshtuar këtë gjykatë, tha se ata që e kundërshtuan Specialen duhet të punojnë tani më shumë kundër saj për të dëshmuar se kundërshtimi i atëhershëm ishte përnjëmend.

Molliqaj: Specialja është një monstrum juridik

“Ata që e kanë kundërshtuar këtë gjykatë, nëse e kanë pasur përnjëmend, e kanë edhe më shumë detyrë e obligim sot të luftojnë më shumë se atëherë. Ndërsa ata të cilët e votuan këtë gjykatë nën presionin e akuzës për trafikim organesh sot e kanë të drejtën legjitime, historike e demokratike ta kundërshtojnë edhe më shumë se ata që e kundërshtuan sepse kjo gjykatë nuk e ka më akuzën për krime dhe trafikim organeve dhe në anën tjetër me votën e tyre është krijuar një monstrum juridik i cili nuk e ka synim drejtësinë por e ka përndjekjen e UÇK-së si organizatë çlirimtare”, deklaroi kreu i PSD-së.

Ai tha se duhet bashkëpunimi i të gjithëve për të ndaluar “një stërkeqe të madhe të historisë së Kosovës” dhe të mbrohet lufta e drejtë dhe e shenjtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Po ashtu, Molliqaj pati një reagime dhe ndaj ndërkombëtarëve të cilët thanë se nuk po dënohet UÇK-ja por individët.

Molliqaj: Nën akuzë e kemi UÇK-në

“Nën akuzë e kemi përndjekjen për liri, nën akuzë e kemi themeluesit e UÇK-së, nën akuzë e kemi Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, komandantët e zonave operative, prandaj atyre që ju thonë që nuk po dënohet UÇK-ja por individët, përgjigjuni thjesht: Që juve nuk ju intereson as UÇK-ja. Hashimi, Kadriu, Jakupi dhe Rexha janë udhëheqësit e UÇK-së. Nuk ka UÇK pa udhëheqës. Ata që nuk i duan udhëheqësit nuk e duan UÇK-në. Prandaj kjo është një përpjekje tinëzare kundër UÇK-së kinse për ta ndarë UÇK-në nga udhëheqësit e saj. Këtë përpjekje populli i Kosovës nuk do ta lejojë”, vijoi Molliqaj.

Molliqaj shpalosi edhe kërkesat e tyre e që fillimisht përfshin ndërrimin e juridiksionit të Gjykatës Speciale.

Molliqaj: Duhet të ndryshohet ligji aktual i Speciales

“Siç është aktualisht në ligjin e Kosovës, kjo gjykatë i ndjek vetëm krimet që i ka bërë UÇK-ja. Andaj, neni 6 i këtij ligji duhet të kërkojë ndjekjen e krimeve e jo përndjekjen e UÇK-së. Nëse duam drejtësi ndiqen krimet, nëse duam padrejtësi ndiqet UÇK-ja dhe përpjekja jonë për liri. Neni 16 po i jep mundësi gjykatës për vendim arbitrare sepse përmes këtij neni nuk po kërkohen më dëshmi dhe prova por po kërkohen komandantët e udhëheqësit e për t’u dënuar. Pra në vend të dëshmisë dhe provës ky ligj po iu mundëson ndjekjen dhe dënimin e komandantëve të UÇK-së. Edhe ky nen duhet të ndryshojë dhe do të ndryshohet”, tha Molliqaj.

Në fund, Molliqaj tha se ky është hapi i parë dhe protesta e parë kundër Speciales, ndërsa paralajmëroi deputetët dhe partitë politike se nëse nuk duan ta ndryshojnë ligjin për Specialen do ta bëjnë me iniciativë të qytetarëve. Në këtë protestë morën pjesë edhe përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së.    /TV Arbëria

Powered by WordPress