Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Molliqaj me kritika ndaj Qeverisë: 4% papunësi, 96% manipulim

Molliqaj me kritika ndaj Qeverisë: 4% papunësi, 96% manipulim

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka kritikuar Qeverinë Kurti për statistikat e papunësisë në territorin e Kosovës. Molliqaj ka thënë se nëse pushtetit i del se përqindja e papunësisë është vetëm katër, i bie se 96% të mbetura janë manipulim e që në tërësi “bëjnë 100% mashtrim”.

Molliqaj përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka thënë se nëse niveli i papunësisë është kaq i ulët “pse po ikin njerëzit nga Kosova”. Molliqaj shtoi se Qeveria e Kosovës duhet të nxjerrë të dhënat se sa njerëz e kanë braktisur Kosovës dhe atëherë kuptohet korelacioni mes ikjes dhe uljes së papunësisë.

“4% papunësi, 96% manipulim! Ekuacionet dinë me qenë edhe më të lehta se ai të cilin Kurti e gaboi: nëse pushtetit i del papunësia 4%, 96% të mbetura janë manipulim. Në tërësi bëjnë 100% mashtrim. Në vend të sondazheve me 1000 të anketuar, ku niveli i papunësisë as që mund të jetë reprezentativ për gjithë vendin tonë, Qeveria le të nxjerrë të dhënat për braktisjen e Kosovës nga njerëzit dhe lehtësisht vërehet korelacioni mes ikjes dhe uljes së papunësisë. Dilema që krijohet pastaj është cilave statistika me i besu, sepse papunësia e përgjithshme në BE ështe 6%. Pse po ikin njerëzit nga Kosova, kur kemi me pak të papunë sesa shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian?”, vijon postimi i Molliqaj.

“Ka gjëra në fakt që kjo Qeveri ka arritë me i zhduk krejt. Kjo është rëndësia e faktit kur analizon, por edhe rëndësia e tjetrit kur diskuton. E vërteta flet përmes liderit si shkencë e rol historik. E vërteta, pra, nuk buron as krijohet. Ajo zbret nga lart. E ku ma lart se goja e liderit?!”, thuhet në postim.