Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > Molliqaj: Lojë numrash, shtrembërim e manipulim vlerash

Molliqaj: Lojë numrash, shtrembërim e manipulim vlerash

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj nëpërmjet një postimi në Facebook ka shkruar se kryeministri Kurti po bën lojë numrash e manipulim me vlerat bruto të produktit vendor (BPV).

Postimi i plotë:

Më sa duket kryeministri Kurti po bazohet në rezultatet e tmerrshme në PISA dhe po shfrytëzon rastin për të bërë lojë numrash e për të manipuluar me vlerat e bruto produktit vendor (BPV).

Kryemanipuluesi po propagandon suksese duke treguar për rritjen e BPV-së për 40% brenda periudhës 2019-2023 dhe se nuk ka vend tjetër në Ballkan apo kudo tjetër që e ka arritur këtë.

Mirëpo ne as nuk kemi nevojë të gjejmë ndonjë vend tjetër që e ka arritur këtë. Mjafton të shikojmë historikun e BPV-së nga viti 2008 deri sot.

  1. Rritja e BPV-së që nga viti 2008 deri sot është rregulli, jo përjashtimi.

Nëse e shikojmë rritjen e BPV-së nga viti 2009 e deri më sot, përjashtuar vitin pandemik (2020), vetëm një vit mund ta gjejmë me rritje vjetore nën 2% (2012: 1.7%). Pra në katërmbëdhjetë nga pesëmbëdhjetë  vite, vlera e rritjes së BPV-së ishte mbi 3%. Mesatarja e rritjes në këtë periudhë shënon 4.36%.

  1. Rritja prej 40% për 5 vite nuk është mrekulli.

Sfida e kryemanipuluesit për të gjetur vend tjetër me rritje aq të madhe të BPV-së brenda 5 viteve është sfidë që nuk ka nevojë të shtrihet fare ne dimensionin gjeografik, mjafton ai kohor. Vlera e BPV-së në Kosovë nga viti 2008 deri në vitin 2013 (pra vetëm 5 vite), u rrit për pak më shumë se 43%. Ja pra ku e kemi mrekullinë që para 10 viteve. Mirëpo ç ‘është puna e periudhës që po e përmend kryepropaganduesi!? Me sa duket ai as numërimin e viteve, as llogaritjen e përqindjeve nuk e zoton e as rregullat e rrumbullakësimit nuk i di – apo i di e thjesht po manipulon!? Në periudhën në fjalë (2019-2023, të cilës Kurti i referohet si 5 vjet) propaganda na thotë që ka rritje prej 40% e shifrat na tregojnë që rritja është 31.45%. Pra edhe nëse e rrumbullakësojmë, na del 32%. Shumë larg 40%-shit.

III. BPV miliardë dyshifror nuk është arritje e kësaj qeverie, është çështje kohe.

Siç e pamë, trendi i BPV-së është rritja dhe për çdo vit – qoftë edhe me përqindje më të vogël – vlera totale e BPV-së përjeton rritje me të madhe, shkaku i rritjes paraprake. Prandaj vendet më të vogla e me ekonomi ende të pazhvilluar mirë, përjetojnë në fazat e hershme rritje të mëdha dhe me kohë lakorja stabilizohet. Gjë të cilën e shohim tek vendet e zhvilluara. Prandaj, jo kryeministër, nuk e keni shpikur rritjen eksponenciale.

Kur sukseset e arritjet i mungojnë, kryeministri në akrobatikë me numra, statistika e fjalë kërkon rrugëdalje e kështu mirëqenia nuk rritët. Morfinë në vend të ilaçit – vargje në vend të politikave të majta. Thjesht populizëm nga kryepopulisti.

/TV Arbëria

Themes by WordPress