Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > “Mobilizohet” BE-ja kundër Trumpit

“Mobilizohet” BE-ja kundër Trumpit

Përgatiti: Afrim Kasolli

Ajo që në fillim dukej si provokim, gjithnjë e më shumë po shndërrohet në pretendim të hapur territorial për integrimin e ishullit të Grenlandës si pjesë të SHBA-ve. Presidenti Donald Trump e ka bërë të ditur se nuk e përjashton as përdorimin e forcës për ta realizuar këtë interes nacional strategjik sipas tij të SHBA-ve. Për këtë madje thuhet se para pak dite ai ka pasur edhe një bisedë të tensionuar në kryeministren e Danimakës, Mette Frederiksen. Siç dihet ishulli i ftohtë edhe pse ka një autonomi të madhe qeverisëse, administrative dhe kulturore, megjithatë zyrtarisht është nën sovranitetin e Mbretërisë Daneze. Si zyrtarët e këtij shteti, por edhe ata të Grenlandës deri më tani i janë përgjigjur ofertës fillestare amerikane për ta blerë atë territor, se “nuk është për shitje”

Shefja e Qeverisë së këtij vendi e alarmuar nga kjo qasje agresive e presidentit amerikan ka kërkuar solidaritet urgjent nga Presindenti i Francës Emmanuel Macron dhe Kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz. Ajo ka deklaruar se bisedat kanë shkuar “tepër mirë”, dhe se është “jashtëzakonisht kruciale” për BE-në që të “qëndrojë e bashkuar” për çështjen e Grenlandës. Po ashtu e njëjta ka pohuar se “duhet të respektohet territori dhe sovraniteti i shteteve. Kjo normë është domosdoshme për rendin ndërkombëtar të ndërtuar pas luftës së dytë botërore”, raporton mediumi Politico

Në linjë më këtë qëndrim, Kancelari në shkuarje i shtetit gjerman ka pohuar, se “paprekshmëria e kufijve është parim fundamental i së drejtës ndërkombëtare. Rusia e ka shkelur atë princip me invazionin në Ukrainë, por ai duhet të jetë imperativ për çdo shtet. Prandaj, kufijtë nuk guxojnë të lëvizin më forcë”.

Me këtë rast, diplomatë të BE-së janë pajtuar për të diskuar raportet e Unionit me Trump-in duke përfshirë edhe krizën në Grenlandë, në një takim joformal të liderëve të BE-së në Bruksel më 3 shkurt. Në këtë ngjarje pritet të marrë pjesë edhe kryeministri britanik Keir Starmer, pasi si Londra dhe Brukseli janë dukë bërë thirrje për një bashkëpunim më të ngushtë në sferën e mbrojtjes dhe sigurisë

Rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë është shndërruar një sfidë strategjike për aleatët e Uashingtonit përtej Atlantikut. Deri më tani qasja e liderëve të Evropës dhe Mbretërisë së Bashkuar ka qenë të injorohet zhurma dhe të fokusohen më shumë në atë se si konkretisht Presidenti Trump do të veprojë. Kjo heshtje deri më tani po shihet si metodë më adekuate në kryeqytete si Londra dhe Kopenhaga.

Megjithatë, në lidhje me Grenlandën, e cila ka rezerva të mëdha minerale dhe zë një pozicion strategjik në Arktik, qasja e BE-së për të vëzhguar dhe pritur ndaj planeve të dukshme të SHBA për këtë territor, duket se po skadon, shkruan mediumi në fjalë.

Mbetet, shihet se çfarë efekte do ketë ky“mobilizim” evropian kundër Trump-it tash e tutje. Apo çka ka konkretisht do të prodhojnë takimet e parapara joformale për këtë temë sensitive gjeopolitike./tvarbëria/