Ka përfunduar me fat rasti i zhdukjes së Altin Bicurrit nga Gjakova, i cili ishte raportuar i zhdukur pasi kishte dërguar një mesazh shqetësues bashkëshortes së tij, mëson Sinjali nga burime të afërta me rastin.
Burimet bëjnë të ditur se bashkëshortja e tij, L.B., kishte raportuar në Polici se për herë të fundit kishte komunikuar me të më 9 maj 2026 rreth orës 19:30.
Sipas informatave, gjatë bisedës ai i kishte thënë se kishte përdorur hapa qetësues dhe më pas i kishte shkruar në Messenger:
“Boma hallall per krejt senet, mo nuk ki mem pa”.
Sinjali mëson se familja kishte ngritur dyshime serioze për gjendjen e tij emocionale, ndërsa bashkëshortja kishte deklaruar se ai ishte edhe konsumues i substancave narkotike.
Pas raportimit, Policia kishte iniciuar rastin: “Person i zhdukur”.
Megjithatë, më 13 maj 2026, ankuesja është paraqitur sërish në Stacionin Policor në Gjakovë dhe ka njoftuar se bashkëshorti i saj ishte kthyer në shtëpi.
Burimet bëjnë të ditur se edhe vetë Altin Bicurri ishte paraqitur në Polici, ku kishte deklaruar se ishte larguar për shkak të ngarkesës emocionale dhe gjatë kësaj kohe kishte qëndruar te një mik i tij, duke ndërprerë kontaktet me familjen.
Sipas deklarimeve të tij, ai është në gjendje të mirë shëndetësore.