Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Mustafa: Kurtin e rrëzova për shkak të qëndrimit kundër SHBA-së, pa SHBA Kosova është vetëm karikaturë

Mustafa: Kurtin e rrëzova për shkak të qëndrimit kundër SHBA-së, pa SHBA Kosova është vetëm karikaturë

Rregullorja e re e BQK-së që ndalon dinarin dhe vendosmëria e kryeministrit Albin Kurti, për të mos e shtyrë implementimin e një rregulloreje të tillë ka dëmtuar raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Jim O’Brien, duke folur për këtë çështje dhe për mos dëgjueshmërinë e Kurtit karshi kërkesave të Uashingtonit zyrtar, ka thënë se nëse Kurti nuk e sheh Amerikan si aleat, njëjtë s’do ta shoh as SHBA-ja atë.

E lidhur me këtë situatë të rënduar të raporteve në mes të Kosovës dhe SHBA-së, ka folur ish-kryeministri i Kosovës dhe ish-kreu i LDK-së, Isa Mustafa.

Ish-Kreu i LDK-së Isa Mustafa, ka thënë se sa kishte qenë në krye të partisë kishte vendosur për ta prishur marrëveshjen me VV-në dhe për ta rrëzuar Kurtin nga Qeveria, për shkak të mospajtimit me politikën kundërshtuese ndaj aleatit strategjik të Kosovës.

“Vënia në krizë e raporteve me SHBA-të por edhe me BE-në është sfidë e madhe për Kosovën si shtet i ri dhe akoma i papërfunduar në OKB dhe i panjohur nga 5 vende të BE-së. Sa isha kryetar i LDK-së e prisha koalicionin me VV-në dhe e rrëzova Qeverinë Kurti, sepse nuk pajtohesha me politikën kundërshtuese ndaj SHBA-së, si partnere strategjike e Kosovës. Rrezikova LDK-në, e cila pagoi çmimin e madh për sigurinë dhe shtetin e Kosovës. Por atëherë ishte pak më ndryshe, sepse përderisa administrata amerikane shprehte mospajtime me Qeverinë Kurti ( ku ishte edhe LDK), përfaqësuesit amerikan, gjerman, francez e britanez në Kosovë ishin me Kurtin dhe për Kurtin”, thotë Mustafa.

Mustafa ka deklaruar se kanë qenë të bindur se s’ka siguri të Kosovës pa NATO dhe se Kosova s’mund ta arrijë NATO-n pa Amerikën.

“Në LDK ishim të bindur se s’ka siguri të Kosovës pa NATO-n dhe s’ka NATO në Kosovë pa SHBA-të. S’ka njohje ndërkombëtare dhe anëtarësim në OKB, në NATO dhe organizata tjera ndërkombëtare pa partneritet me SHBA-të. Ashtu mendoj edhe tani”, ka thënë ai.

Megjithatë Mustafa thotë se tashmë situata është edhe më e rëndë, sepse Qeveria Kurti po kritikohet nga demokratët e SHBA-së, gjermanët, francezët e britanikët, që ish-kryetari i LDK-së thotë se “t’i nxirrnin sytë për VV-në”

“Situata aktualisht është edhe më e rëndë, sepse Qeveria po kritikohet nga demokratët e SHBA-së, nga gjermanët, francezët e britanezët që t’i nxirrnin sytë për VV-në”, shprehet Mustafa.

Ai thekson se është e qartë që çdo fitore me populizëm dhe duke anashkaluar partnerët është humbje si për atë që fitojnë, njëjtë edhe për ata që abstenojnë. Prandaj Mustafa thotë se pa SHBA-në Kosova është vetëm një karikaturë dhe shton se duhet reflektim nga Presidenca, Kuvendi, Qeveria, opozita e shoqëria civile për të rikthyer gjëra në binarë drejt konsolidimit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.

“Është shumë e qartë se çdo fitore me popullizëm duke nënçmuar dhe anashkaluar partnerët është humbje si për ata që fitojnë sikurse edhe për ata që abstenojnë. Pa SHBA, Kosova nuk është shtet; është vetëm një karikaturë. Prandaj lypset të reflektojnë Presidenca, Kuvendi, Qeveria, opozita, shoqëria civile për të rikthyer besimin e partnerëve dhe për të trasuar rrugën e konsolidimit të mëtejmë ndërkombëtar të shtetit të Kosovës”, shtoi ai.

/TV Arbëria

Themes by WordPress