Shkruan: Afrim Kasolli- Sa herë qe vjen 17 shkurti vetëtimthi më kujtohen fjalët e shkrimtarit të njohur Amos OZ, ku e pasqyron bisedën me të atin e tij, me rastin e lindjes së shtetit të Izraelit, të cilat gjenden në librin “Rrëfim mbi dashurinë dhe errësirën” “Shiko, djali im, vështro mirë, bir, ngulite gjithçka në mendje sepse nuk për ta harruar këtë natë deri sa të vdesësh dhe do t’u tregosh fëmijëve dhe nipërve dhe stërnipave të tu për këtë natë edhe kur ne të kemi ikur prej kohësh”. Jehona e tyre, më mirë se asgjë tjetër tregon, për çastin unik dhe të papërsëritshëm të lindjes së një shteti. Nga kjo logjike nuk bwnw përjashtim as rasti i Kosovës.
Kështu, rrugëtimi i Kosovës deri te kjo datë nuk ka qenë i lehtë. Ky proces historik ka qenë i stërmbushur me shume sfida, peripeci, vuajtje, sakrifica dhe shterpëzime të përbashkëta kombëtare e shoqërore.
Për një shekull energjitë, përpjekjet dhe veprimet tona ishin të orientuara kundër një rendi jo të drejtë, diskriminues dhe hegjemonik. Një popull që i nxitur nga parimet e brendshme morale, politike dhe forcat vitale, në mënyrë heroike kish rezistuar ndaj një sistemi që ishte shndërruar në “burg të popujve” sikurse ishte ish-Jugosllavia. Kosova ishte shndërruar në teren dhe hapësirë ku në vazhdimësi konfrontohej e mira me të ligën, liria me robërinë dhe drejtësia me shtypjen. Siç dihet nga të gjithë ne, pas shembjes së Perandorisë Osmane në vitin 1912, Kosova dhe pjesa më e madhe e territoreve shqiptare mbetën padrejtësisht jashtë shtetit amë.
Duke filluar që nga ky moment fatzi si dhe sanksionimi që konferencat ndërkombëtare i bënë këtij gllabërimi territorial, për strategët e nacionalizimit serb u shtrua një dilemë kryesore, se çka duhet të bëhet me atë përqindje të madhe të shqiptareve, që e inkuadruan dhunshëm në kuadër të shtetit të tyre?
Me këtë rast ideologë, klerikë, akademikë, shkrimtarë, politikanë të të gjitha ngjyrave e doktrinave, radikalë, ekstremistë, pseudo-liberal, e demokratë të shpifur, të majtë e të djathtë, që e dominonin pandërprerë jetën politike, shoqërore dhe kulturore të këtij shteti, u pushtuan vazhdimisht nga ky ankth.
Ata kërkonin lloj-lloj solucionesh makabre për ta tejkaluar këtë makth te tyre, si spastrimin etnik, shtypjen, nënshtrimin, kolonizimin dhe asimilimin e shqiptarëve. Por asnjë herë nuk e imagjinuan zgjidhjen e vetme që i tejkalon këto antagonizma; barazinë ndërmjet dy popujve.
Nga kjo dëshirë e ethshme dhe iracionale për t’i mbajtur shqiptarët të nënshtruar dhe në fund për ta serbizuar Kosovë, u lind projekti gjenocidial i shtetit serb. Milosheviqi ishte pjesë episodike e kësaj strategjie konstante. Mirëpo, në fund elita fashiste e nacionalizimit serb e humbi këtë betejë të armagedonit kur të drejtat e njeriut, respektimi i dinjitetit human dhe demokracia, u shndërruan në standard global, falë triumfit të SHBA-vë kundër oponentit të tyre Sovjetik pas Luftës së Ftohtë.
Prandaj, nuk ka dyshim se kjo arritje e shoqërisë sonë buron edhe nga përcaktimi ynë i qartë dhe racional për t’u orientuar në anën e “drejtë të historisë”. Për t’i përvetësuar principet e saj moderne. Dhe për të vepruar në koherencë me forcën e tyre normative. Pra, me një fjalë, siç deklaronte Arben Xhaferi, ky sukses ishte pjesë e fitores së “projektit global perëndimor” mbi botën e akullt të të ftohtit siberik. Në këtë “mister” ndodhet arsyeja e suksesit tonë, e drejtimit që i dhanë kauzës sonë kombëtare drejtuesit politikë si ata të para luftës ashtu dhe drejtuesit e UÇK-së. Dhe nuk është e rastësishme që shumë “analitikë perëndimorë e vlerësuan UÇK-në si njërin nga formacionet më të suksesshëm kryengritës në histori”.
Ndërkohë, festimi i kësaj ngjarje nuk është thjesht një argëtim i zakonshëm apo ceremoni e rëndomtë solemne. Ky përkujtim është edhe thirrje, detyrim moral dhe politik për të përkujtuar të kaluarën tonë kolektive, po ashtu shërben dhe si moment për të reflektuar mbi arritjet dhe sfidat që kemi pasur deri më tani. Sepse siç thamë vendi ynë doli nga një luftë e tmerrshme dhe me humbje të rënda humane, materiale dhe sociale. Pas tërheqjes nga Kosova, mekanizmat e shtetit serb sikurse ushtria, policia, gjyqësia dhe strukturat e tyre paramilitare, lanë prapa vetës vetëm plagët e krimit të tyre sistematik.
17 Shkurti për Kosovën përbën një fillim të ri. Brezi ynë ishte i bekuar që e pa me sytë e tij këtë lindje të re, për të cilën ëndërruan dhe sakrifikuan shumë breza para nesh.
Madje edhe për të gjithë ne që e patëm përjetuar kohën brutale të okupimit në vitet ’90 dhe në fund luftën, se do të vinte një ditë që do të çliroheshim e ta kemi shtetin tonë na dukej si ëndërr..
Mirëpo më në fund mrekullia e historisë ndodhi. Ajo është e papërsëritshme. Ngjarjet tjera që që do vijnë pas tyre janë vetëm dukuri të rëndomta politike që me kalimin e kohë do kujtohen si episode kalimtare të kushtëzuara nga lufta për pushtet, por të cilat do t’i mbuloj pluhuri i harresës, pa ndonjë peshë specifike në mbamendjen tonë kombëtare dhe shtetërore.
/ TV Arbëria