Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > ​MMPHI sjell eko-ulëse me energji solare dhe mbjell 115 fidanë

​MMPHI sjell eko-ulëse me energji solare dhe mbjell 115 fidanë

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), në bashkëpunim me universitetet e Republikës së Kosovës dhe organizatat e shoqërisë civile, ka nisur shënimin e Javës Evropiane të Lëvizshmërisë nën moton globale “Lëvizshmëri për të gjithë”.

Në kuadër të këtij aktiviteti, janë vendosur eko-ulëse me energji solare në disa lokacione publike, përfshirë edhe hapësirat e objektit të “Rilindjes” në Prishtinë. Udhëheqësi i divizionit për projektet e zhvillimit të qëndrueshëm, Besmir Kokollari, ka thënë se këto ulëse do të shërbejnë për pushim, por edhe për të mbushur pajisjet elektronike me energji të pastër diellore.

“MMPHI në bashkëpunim me Universitet e Republikës se Kosovës, organizatat e shoqërisë civile, kemi dhe meraklitë e biçikletave, kanë filluar shënimin e javës evropiane të lëvizshmërisë nën moton botërore “lëvizshmëri për të gjithë”. Në vazhdimësi sipas propozimeve të këshillit organizativ kemi përzgjedhur që të sjellim disa eko-ulëse me energji solare. Sot jemi me vendosjen e eko-ulsës me energji solare të pastër diellore në hapësirat e objektit të Rilindjes. Duke marrë parasysh që kemi një numër të madh të konsiderueshëm të vizitorëve por edhe të zyrtarëve të cilët mund ta përdorin për pushim, por të njëjtën kohë të mbushin loptopet gjatë punëtorive të tyre apo edhe telefonat me energji të pastër diellore apo energji solare”, tha Kokllari.

Si pjesë e aktiviteteve për zhvillim të qëndrueshëm, MMPHI ka mbjellë rreth 115 fidanë në hapësirat e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, si dhe në kampusin universitar dhe objektin e Rektoratit. Fidanë janë mbjellë edhe në shkolla fillore dhe të mesme të ulëta në Prishtinë, si dhe në universitete të tjera në vend.

“Në vazhdën e aktiviteteve si MMPHI po punojmë fuqishëm për zhvillim të qëndrueshëm mjedisor, gjithashtu për krijimin e hapësirave të gjelbërta , mes mbjellëve te fidanëve, që kemi mbjellë rreth 115 fidan në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, në hapësirat e kampusit dhe në rektorat. Kemi vazhduar që të mbjellim në shkolla fillore dhe të mesme të ulëta, dituria Shkabaj në komunën e Prishtinës, jemi me aktivitete edhe në komuna të tjera në Universitetin e Prizrenit, gjithashtu do të dhurojmë një eko-ulëse të energjisë solare edhe me universitetin e Gjilanit do të dhurojmë një eko-ulëse me energji solare. Te gjitha këto aktivitete po i bëjmë në mënyrë që të përmirësojmë gjendjen e mjedisit në Republikën e Kosovës, krijimin e hapësirave të gjelbërta dhe një mjedis më të pastër për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha Besmir Kokollari.

Java Evropiane e Lëvizshmërisë shënohet çdo vit nga 16 deri më 22 shtator në shumë vende të Evropës, me qëllim të promovimit të mënyrave të qëndrueshme të transportit dhe reduktimit të varësisë nga makinat. Republika e Kosovës, përmes institucioneve përkatëse, është bërë pjesë e kësaj iniciative ndërkombëtare duke organizuar aktivitete vetëdijesuese, investime në infrastrukturë të gjelbër dhe promovimin e përdorimit të energjisë së pastër./KP