Ministria e Ekonomisë lanson subvencionimin për pajisje efiçiente për ngrohje në mbështetje të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, financuar nga BE-ja.
Pjesëmarrës ishin Kryeministri, Albin Kurti, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, dhe Alessandro Bianciardi nga Zyra e Bashkimit Evropian.
Kryeministri, Albin Kurti tha se janë investuar 35 milionë euro në këtë sektor dhe kjo falë mbështetjes së BE-së. Duke arsyetuar çmimet e energjisë, ai tha se për këtë ka ndikuar lufta në Ukrainë. Sipas tij, lansimi i kësaj thirrje tregon përkushtimin e miqve për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Ndërkaq, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se ndërmarrësit vendës janë kontribuesit kryesorë të zhvillimit ekonomik, prandaj u ka bërë thirrje që të aplikojnë për subvencione. Ajo gjithashtu u shpreh se bizneset humbin rreth 30% të energjisë që e konsumojnë, kështu me investimin e efiçiencës bizneset mund të ulin kostot e tyre.
“Masa për subvencionim të ndërmarrje mikro, të vogla dhe të mesme do të jetë e hapur që nga sot dhe përfshin subvencionimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje, për pompa termike, për kondicionerë apo klima efiçiente. Për të parën në vlerë deri në dy mijë euro, për të dytën në vlerë deri në një mijë euro. Kaldaja me biomasë, si dru, pelet në vlerë deri në dy mijë euro, si dhe studa individuale me biomasë në vlerë deri në 500 euro. Përfitimet e investimeve në efiçiencë të energjisë përkthehen drejtpërdrejt në kursime, në kostot e bizneseve, kështu me investimin e efiçiencës bizneset mund të ulin kostot e tyre”, u shpreh ajo.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari u shpreh se përmes strategjive politika industriale fokusohet në rritjen e qarkullimit dhe reciklimit të materialeve në sektorin e prodhimit, si dhe përmirësimin teknologjik drejt efiçiencës së energjisë.
“Përmes tri strategjive të tri ministrive tona, politika industriale përqendrohet në rritjen e qarkullimit dhe reciklimit të materialeve në sektorin e prodhimit, prodhimin dhe konsumin e produkteve të gjelbra, si dhe përmirësimin teknologjik të orientuar drejt efiçiencës së energjisë”, tha ajo.
Ndërsa, Alessandro Bianciardi nga Zyra e Bashkimit Evropian, tha se deri në shtator kanë aplikuar mbi 20 mijë familje për subvencionim në sektorin e energjisë.
“Ky është një plan që Bashkimi Evropian është duke e financuar dhe është mirë që gjatë vitit 2023 shqiptarët e Kosovës kanë pasur një interes të veçantë sa i përket masave të efiçientit të energjisë. Në shtator mbi 20 mijë familje kanë aplikuar për subvencionim në sektorin e energjisë, e në fillim të këtij viti kemi pasur përafërsisht 2000 mijë familje që kanë përfituar nga këto subvencione”.
/TV Arbëria