Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > MKRS reagon pas akuzës nga Komuna e Prishtinës: Druri ka dëmtuar murin e Teatrit, angazhuam profesorë për projektin

MKRS reagon pas akuzës nga Komuna e Prishtinës: Druri ka dëmtuar murin e Teatrit, angazhuam profesorë për projektin

Komuna e Prishtinës më herët ka akuzuar Ministrinë e Kulturës se pa lejen e saj dhe pa njoftuar asnjë përgjegjës ka prerë pishat rreth hapësirës së Teatrit Kombëtar.

“Komuna e Prishtinës dënon ashpër aktin e papranueshëm dhe të dëmshëm nga Ministria e Kulturës. Pishat shumëvjeçare, të cilat ishin një element i rëndësishëm i hapësirës përreth Teatrit Kombëtar, janë shkatërruar pa lejen e Komunës dhe pa njoftuar asnjë autoritet përgjegjës!”, u tha në reagimin e komunës.

Kësaj i është përgjigjur Ministria e Kulturës, e cila tha se druri që është hequr ka dëmtuar murin e ndërtesës së Teatrit Kombëtar dhe se për projektin janë angazhuar profesorë nga gjashtë fakultete të Universitetit të Prishtinës.

“Ministria e Kulturës po bën investimin më të madh që është bërë ndonjëherë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, restaurimin e plotë dhe zgjerimin e hapësirave të tij. Për hartimin e këtij projekti janë angazhuar profesorë nga gjashtë fakultete të Universitetit të Prishtinës ndërsa jemi pajisur me leje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve”.

“Largimi i drurit në afërsi të teatrit ka qenë i paraparë në projekt për shkak që rrënjët e tij kanë qenë të mbështetura në muret e strukturës së ndërtesës, duke dëmtuar kështu strukturën dhe duke pamundësuar realizimin e punëve të drenazhimit, përforcimin e themeleve dhe vazhdimin e zbatimit të projektit.”

MKRS tha se po kujdeset që projekti të zbatohet tërësisht dhe punët të zhvillohen në mënyrën më profesionale.

“Natyrisht që druri i prerë do të zëvendësohet. Hapësirat e gjelbërimit janë të parapara dhe do të zbatohen në detaje”.

Powered by WordPress