Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Sport > MKRS: Prokuroria po merret me dyshimet për kurdisje të ndeshjeve sportive

MKRS: Prokuroria po merret me dyshimet për kurdisje të ndeshjeve sportive

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se është duke i trajtuar rastet në të cilat pretendohet se në futbollin e Kosovës janë bërë kurdisje të ndeshjeve.

Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe ministria e Kulturës, Rinisë dhe sporteve.

“Ndërlidhur me çështjen e adresuar gjatë ditës së djeshme dhe sot nga mediat elektronike në Kosovë, të cilat i referohen shkrimeve të disa mediumeve franceze, në të cilat flitet për kurdisjet e disa ndeshjeve të Superligës së futbollit të Kosovës, Këshilli Kombëtar për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive, ashtu siç e ka njoftuar opinionin edhe me prononcimet e më hershme, ka kërkuar dhe do të angazhohet në vazhdimësi që çdo dyshim i ngritur për kurdisje të ndeshjeve sportive të hetohet nga organet përkatëse shtetërore, dhe përgjegjësit të dalin para ligjit“, thuhet në njoftimin e MKRS-së.

Me kërkesën e Këshillit për Sport, prokuroria e shtetit, në mbështetje të Policisë së Kosovës është duke u marrë me trajtimin e çdo dyshimi të ngritur për kurdisje të ndeshjeve sportive, duke përfshirë edhe rastin e publikuar në media.

“Meqenëse rastet për dyshime të kurdisjeve janë në fazën e hetimeve, përfshirë këtu edhe bashkërendimin me autoritetet e Francës dhe organizatat ndërkombëtare të sportit, ne si Këshill nuk mund të japim ndonjë informatë shtesë që mund të dëmtojë hetimet, mirëpo e përsërisim angazhimin tonë të palëkundur dhe të të gjitha autoriteteve tjera shtetërore për hetimin e çdo dyshimi të ngritur për kurdisje të ndeshjeve sportive”, thuhet më tej në njoftim.

/TV Arbëria

Powered by WordPress