Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > MKRS obligon federatat që 30 përqind të buxhetit ta dedikojnë për vajza dhe gra

MKRS obligon federatat që 30 përqind të buxhetit ta dedikojnë për vajza dhe gra

Pas përmbylljes së procesit të kategorizimit, janë nënshkruar memorandumet e para të këtij viti ndërmjet Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport si dhe federatave sportive, për zhvillimin e aktiviteteve të tyre vjetore përgjatë vitit 2025.

Memorandumet deri më tani janë nënshkruar me Federatën e Hendbollit, Karatesë, Pingpongut, Notit dhe atë të Triathlonit, të cilat i kanë kryer me sukses obligimet e tyre për harmonizimin e akteve normative në përputhje me Ligjin e ri të Sportit, dhe me ç’rast u hapet rruga e përfitimit financiar përmes këtyre memorandumeve.

Zëvendësministrja Daulina Osmani me këtë rast i ka njoftuar federatat prezente që sivjet është paraparë që çdo federatë ta ketë për obligim që së paku 30% të shumës totale të përfitimit t’ia dedikojnë aktiviteteve sportive për vajza dhe gra, me qëllim të zhvillimit dhe fuqizimit të mëtejmë të sportit femëror në vend, përcjellë KosovaPress.

Buxheti vjetor i federatave është përcaktuar përmes shumëzimit të pikës nga vlerësimi në kategorizim dhe vlerës së pikës të përcaktuar nga MKRS.