Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > MKRS i dhuron donacion 32 bibliotekave komunale rreth 600 tituj vendor

MKRS i dhuron donacion 32 bibliotekave komunale rreth 600 tituj vendor

Nga sot 32 bibliotekat komunale, do të kenë rreth 600 tituj më shumë në sirtarët e tyre. Kjo është mundësuar nga donacioni që ka dhuruar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për të cilin janë ndarë rreth 1 milion euro nga buxheti i Kosovës. Në këtë donacion do të përfshihet edhe biblioteka e Luginës së Preshevës, Ulqinit dhe Manastirit.

Zëvendësministrja e Kulturës, Daulina Osmani ka thënë se përveç rritjes së numrit të librave, njëkohësisht është edhe rritja e vazhdueshme e mbështetjes dhe vëmendjes së MKRS-së edhe ndaj librit.

“Në mesin e këtyre titujve, gjejmë libra të shumë gjinive letrare, revista të ndryshme të cilat janë blerë nga MKRS-ja gjatë viteve 2023 dhe 2024. Rritja e numrit të librave që po dhurohet sivjet, përveçse është akumulim i blerjes së librave, përgjatë dy viteve, njëkohësisht janë edhe si rritje e vazhdueshme e mbështetjes dhe vëmendjes së MKRS-së ndaj librit. Nga një fond fillestar që e kishim prej 160 mijë euro për librin, e rritëm në 1 milion euro, duke përfshirë blerjen, botimin, mbështetjen direkte për autorin”, ka thënë Osmani.

Ndërsa, kryesuesja e Këshillit të Librit, Nerimane Kamberi ka shtuar se do të jenë më të përkushtuar që libri të jetë i pranishëm në çdo kënd edhe përtej kufijve.

“Si kryesuese, por edhe shkrimtare modeste edhe më shumë do të përkushtohem bashkë me anëtarë të tjerë edhe me ministrin dhe ministritë e ardhshme, që edhe më shumë, libri të jetë i pranishëm, jo vetëm në libraritë e Prishtinës, jo vetëm në panaire, shkolla, bibliotekat e Prishtinës, por edhe këndej e andej kufijve”, ka shtuar Kamberi.

Po ashtu, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rugova-Gaxha është shprehur se kjo e bënë jetik rolin e bibliotekave komunale dhe Bibliotekës Kombëtare në ruajtjen e trashëgimisë kulturore e intelektuale në dokumentimin e historisë së Kosovës.

“Bibliotekat duke qenë një nga institucionet më të rëndësishme në ruajtjen e trashëgimisë intelektuale kulturore, e urtësisë kolektive, roli i tyre është misionarë, i thjeshtë dhe kjo e bënë veçanërisht jetik rolin e bibliotekave komunale dhe rolin e Bibliotekës Kombëtare, në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, intelektuale dhe në dokumentimin e historisë së Kosovës”, është shprehur ajo.

Ky aktivitet është i përvitshëm dhe shërben për pasurimin e fondit bibliotekar në tërë territorin e Kosovës dhe më gjerë.