Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > “M’ke frikësu”, E shohim sa i pastër je”/ Peci përplaset në komente me Qumështoren Drena

“M’ke frikësu”, E shohim sa i pastër je”/ Peci përplaset në komente me Qumështoren Drena

Një thirrje e ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, për bashkatdhetarët, ka qenë “mollë sherri” mes tij dhe kompanisë “Qumështorja Drena”.

“Të dashur bashkatdhetarë. Ju ftoj që të bëheni pjesë e Festivalit Global Shqiptar të Gastronomisë me 2 dhe 3 tetor në Arena Halle në Berlin, aty ku do të takohemi në sofrën tonë të përbashkët për të promovuar kulturën, traditën dhe kulinarinë shqiptare. Ejani që së bashku t’i kontribuojmë ndërtimit të urave të bashkëpunimit e të diskutojmë rreth potencialit zhvillimor që ka sektori i agroturizmit dhe ekoturizmit në Kosovë” shkroi mbrëmë ministri Peci në Facebook.

Kompania “Qumështorja Drena” la një koment në postimin e ministrit, duke thënë: “ Ministër, unë jam nga Skenderaj, mund të bëhem edhe unë pjesë e festivalit?”, në formë shakaje.

I menjëhershëm ishte reagimi i ministrit Peci, i cili nuk hezitoi të akuzojë kompaninë, për përfitime milionash në krahë të taksapaguesve.

“Qumështorja Drena po gjithsesi, sidomos ju që keni përfituar miliona të taksapaguesve për dekada të tëra…” shkroi Peci në replikën e tij.

“Asnjë tender të vetëm njëburimor. Përndryshe, i keni të gjithë mekanizmat për të hetuar çdo gjë që dyshoni. Nuk ju ka hije të spekuloni dhe të shpifni. Përndryshe, kujdes se edhe ju një ditë do të jeni objekt hetimi dhe se mbetet të shihet ‘pastërtia’ e juaj personale” iu kundërpërgjigj kompania e qumështit.

Kësaj, Peci iu përgjigj me ironi, duke thënë: “Me këtë “kujdes” më ke frikësu goxha shumë, hiç se di a dal nesër në punë”.

“Si duket më keni keqkuptuar i nderuar. Nuk e kisha fjalën për nesër. Unë po mendoja për muajt, por ndoshta edhe vitet në vijim” ishte përgjigjja e fundit e kompanisë, duke lënë të kuptohet se mund të çojë në instanca pretendimet se Peci ka shpifur kundrejt tyre.

Se a është personal ky “sherr”, akoma nuk dihet, teksa kompania vitin e kaluar ishte ankuar se Ministria subvencionet e Ministrisë ishin si lëmoshë.

Përfaqësues të kompanisë “Qumështorja Drena” kishin deklaruar në “Kallxo Përnime” se Ministria po dhuron subvencion vetëm 50-60 euro për lopë që kushtojnë afro 2 mijë euro.