Vlera e Manganit në Liqenin e Badocit ende nuk është duke pësuar ndonjë ndryshim.Edhe këtë vit, sikurse vitin e kaluar, zonat që furnizohen me ujë nga ky liqen po përballen me një “sfidë”.
Krejt kjo, pasi që Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës tha se nga 15 mostrat e kryera rezultojnë me tejkalim të standardit të Manganit të paraparë.“Nga rezultatet laboratorike, 15 mostra nga numri total i mostrave të marra rezultojnë me tejkalim të standardit për Mangan. Tejkalimet fillojnë nga vlera më e ulët prej 0.062mg/L deri në vlerën më të lartë 0.250 mg/L”, thuhet në njoftimin e tyre.
Sipas IKPSHK-së, ani pse mangani konsiderohet lëndë ushqyese dhe kontribuon në shumë funksione trupore, rekomandon që në këtë periudhë të mos konsumohet ky ujë për pije, por vetëm si ujë teknik e për higjienë personale dhe ambientale.Gjatë ditës së sotme, Instituti paralajmëroi përsëri se pavarësisht analizave të bëra gjatë vikendit, vërehet ulje e vlerave të Manganit. Por, këto vlera ende janë më të larta se sa vlerat e lejuara.
Në lidhje me këtë çështje, në një intervistë dhënë për GazetaBlic, Arjeta Mjeku, zëdhënëse në KRU “Prishtina”, thotë se nuk ka panik për qytetarët, derisa ajo kërkon që vetëm të mos e konsumojnë ujin dhe mos ta përdorin për përgatitje të ushqimit.