Janë pamje, që bënë xhiron e botës. Më 6 qershor 2023 pati shpërthime në digën Kakhovka në Ukrainën juglindore. Pak më vonë diga shembet. Masat e ujit mbulojnë me shpejtësi marramendëse zonën përreth. Ata marrin me vete vendbanime të tëra. Dhjetëra mijëra njerëz preken dhe numri i saktë i vdekjeve mbetet i paqarte ende sot.
Sipas informacioneve të Ukrainës rreth 600 tonë naftë rrodhën nga impiantet e dëmtuara industriale. Kimikatet nga fabrikat e shkatërruara ndotën rëndë ujin, tokën, ekosistemet dhe tokën bujqësore, thonë ekspertët e Kombeve të Bashkuara. Lufta nuk është vetëm një katastrofë njerëzore, por edhe ekologjike.
Hedhja në erë e digës Kakhovka mund të bëhet tani objekt i një procesi ndoshta pioner kundër Rusisë.
Autoritetet ukrainase aktualisht po mbledhin prova për ta dërguar Rusinë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (ICC) në Hagë në një proces për krime lufte.
Këtu është fjala edhe për shkatërrimin e mjedisit përmes veprimeve luftarake. Ukraina akuzon Rusinë se ka shkaktuar shpërthimin, por Rusia e mohon atë.
“Mjedisi nuk duhet të mbetet më, një viktimë e heshtur e luftës”, thotë ministri ukrainas për mbrojtjen e mjedisit dhe burimeve natyrore Ruslan Strilets në një intervistë për DW.
Mjedisi, viktimë e heshtur e luftës në Ukrainë
Çfarë do Ukraina?
Shpërthimi i digës dhe përmbytjet janë vetëm një prej shumë krimeve mjedisore, që po hetohen aktualisht nga autoritetet ukrainase, të cilat mund të bëhen pjesë e akuzave kundër Rusisë. Autoriteti mjedisor ukrainas vlerëson se dëmi nga lufta në pyje, tokë, ajër dhe ujë, i shkaktuar nga pushtimi rus, në mbi 5000 raste është mbi 57 miliardë euro.
Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës Andriy Kostin shpreson të finalizojë kornizën e aktakuzës deri në fund të vitit. “Shkalla e kontaminimit dhe e dëmtimit në shumë zona vetëm mund të hamendësohet, sepse mbledhja e të dhënave është jashtëzakonisht e vështirë”, thotë Oleksii Vasyliuk, kreu i organizatës mjedisore ukrainase Nature Conservation Group.
Megjithatë organizata joqeveritare ukrainase Ecoaction ka mundur të marrë mostra dheu në disa zona. Analiza e tokës në rajonin e luftimeve në Donbas tregoi se e gjithë toka është e ndotur me metale të rënda shumë toksike si rezultat i luftimeve. Në disa raste vlerat e merkurit, vanadiumit dhe kadmiumit ishin mbi njëqindfishin e nivelit të zakonshëm.
Metalet e rënda janë jashtëzakonisht toksike në përqendrime të larta, sepse ato grumbullohen në trup dhe shpesh nuk mund të shpërbëhen. Vasyliuk thotë se dëmtimi i ajrit, ujit dhe tokës do të vazhdojë të ndihet për dekada pas përfundimit të luftës.
Ministri i Mjedisit Strilets kërkon që Rusia të mbajë përgjegjësi. Përveç kësaj ata duan të krijojnë një precedent dhe të zhvillojnë procedurat e përshtatshme ndërkombëtare të zbatimit të ligjit, me qëllim që lufta në kurriz të mjedisit të mos mbetet e pandëshkuar në të ardhmen.
Por procedura do te zgjaste shumë vite, nëse do të pranohet nga ICC, thotë Aaron Dumont. Ai hulumton çështjet mjedisore në të drejtën ndërkombëtare në Universitetin Ruhr në Bochum. Për Ukrainën do të bëhet fjalë edhe për të drejtën e pagesës së reparacioneve nga Rusia.
Kur dëmtimi i mjedisit është krim lufte?
Kombet e Bashkuara e përkufizojnë shkatërrimin e mjedisit si një krim lufte vetëm, nëse është në disproporcion me avantazhin ushtarak të shkaktarit dhe sjell dëme rënda, të përmasave të mëdha dhe afatgjata për popullatën.
Kryeprokurori i ICC Karim Khan njoftoi në shkurt, se krimet kundër mjedisit do të ndiqen penalisht dhe do të jenë më shumë në fokus në të ardhmen. Deri më sot asnjë vend apo person nuk është dënuar për shkatërrimin mjedisor si krim lufte. Kjo edhe për shkak të përkufizimit të paqartë në të drejtën ndërkombëtare, thotë Aaron Dumont.
“Duhet të vërtetohet, që pas 10 vjetësh të jetë i matshëm shkatërrimi i mjedisit, që vjen nga këto granatime apo një formë e caktuar lufte”, thotë Dumont. Në të kaluarën ka qenë shumë e vështirë, që kjo të vërtetohej.
Djegia e fushave të naftës në Irak
Si shembull ai përmend një rast nga viti 1991. Gjatë Luftës së Gjirit midis Kuvajtit dhe Irakut trupat irakiane gjatë tërheqjes i vunë zjarrin mbi 700 fushave kuvajtiane të naftës, duke shkaktuar kështu një katastrofë mjedisore në të gjithë rajonin. Çdo njeri normal do të thoshte se ky është një krim lufte kundër mjedisit, thotë Dumont.
“Por në vitet 1990 ishte shumë e vështirë për gjeologët, që të demonstronin, se pasojat e këtyre zjarreve mund të maten edhe dhjetë vjet më vonë. Kjo thjesht nuk ishte metodologjikisht e mundur.”
Sot është ndryshe. Falë imazheve satelitore dhe metodave më të avancuara shkencore, Dumont beson se shanset për sukses në një proces gjyqësor kundër Rusisë janë në disa raste shumë premtuese.
Të njihen si krime
Duke përfshirë edhe hedhjen në erë të digës Kakhovka. Nëse do të kishte një vendim gjykate, ky do të ishte një moment historik. Megjithatë nuk është e sigurtë, se çfarë efekti do të kishte dënimi. Rusia nuk është anëtare e Statutit të Romës, bazës së traktatit të ICC-së dhe nuk i njeh vendimet e ICC-së.
Dumont tërheq vemendjen në një tjetër pikë. “Ne e dimë nga hulumtimet, se është shumë e rëndësishme për të prekurit, që këto krime të njihen. Këta janë për shembull fermerët apo njerëz të tjerë në rajon, që janë të varur nga natyra. Ata duan, që edhe shqetësimet e tyre të jenë pjesë e këtij procesi”