Mesazhi i Ipeshkvit të Kosovës, Dodë Gjergji për Krishtlindje ishte toleranca, dashuria e respekti ndaj njëri-tjetrit duke lënë mënjanë urrejtjen politike, fetare dhe etnike.
Në meshën kryesore për Krishtlindje në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, Dodë Gjergji theksoi rëndësinë e dashurisë për çdo njeri dhe çdo krijesë. Ai shprehu shqetësimin për luftërat dhe dhimbjet që ato shkaktojnë, duke theksuar se humbja e jetëve njerëzore shpesh konsiderohet vetëm si një numër.
Ipeshkvi i Kosovës apeloi për reflektim dhe ndërgjegjësim, sidomos për politikën e ndarë dhe për liderët fetarë. Mesazhi i tij u përqendrua në domosdoshmërinë e krijimit të lidhjeve të forta të dashurisë dhe harmonisë, duke e shprehur këtë si një mjet për të ndihmuar shoqërinë të mposhtë urrejtjen dhe të ndjekë një rrugë të paqes.
“Mjaft me nxitje të mosdurimit, me përçarje e me fyerje pasi që sot në botë ka mjaft urrejtje. E populli ynë sidomos, vendi ynë, familjet tona dhe çdo njeri mes nesh ka nevojë për dashuri. Prandaj, të bëhemi vegël e paqes. Ne nuk e kemi fuqinë t’i ndalojmë luftërat, por kemi mundësi të sjellim dashuri prindërve të vetmuar ose të braktisur nga fëmijët e tyre. Mund të sjellim pajtim dhe dashuri tek vëllezërit e hidhëruar me njëri-tjetrin, po ashtu te politika e përçarë e te politikanët që kanë nevojë për ndërgjegjësim, pse jo edhe te ne prijësit e feve”, theksoi ai.