Shkruan: Basri Beka
Kryeministër, deklarata juaj për “faktorë të jashtëm” është ose mungesë guximi, ose shmangie e qëllimshme. Nuk ka rrugë të tretë. Mos harroni: paqartësia institucionale dhe dështimi i qeverisjes kanë kontribuar që 500–600 të rinj të përfundojnë në Siri. Dikush duhet të japë përgjegjësi për humbjet dhe vuajtjet e prindërve të tyre.
Nëse i dini kush janë – thuajini me emër.
Nëse nuk i dini – mos krijoni panik me hamendje.
Publiku nuk mbahet me fraza boshe si “ka përpjekje” apo “ndoshta të paqëllimshme”. Kjo është gjuhë pa përgjegjësi. Shteti nuk drejtohet me “ndoshta”.
Kush janë këta “faktorë të jashtëm”?
Financime fetare nga Lindja?
Ndikim nga Serbia?
Rrjete ideologjike nga diaspora?
Cila është e vërteta? Jepeni.
Pjesa më problematike nuk është ajo që thatë, por ajo që po bëni.
Thoni se jeni në kontakt të vazhdueshëm me bashkësitë fetare, konkretisht me BIK-un, për të trajtuar çështje që “shkojnë kundër traditës së besimit në Kosovë”. Ky është devijim i rrezikshëm nga roli i shtetit.
Ju nuk jeni kryeministër i fesë.
Ju jeni kryeministër i një shteti laik.
Shteti nuk ruan “tradita besimi”.
Shteti zbaton Kushtetutën.
Dhe Kushtetuta është e qartë:
asnjë fe nuk ka privilegj, asnjë bashkësi fetare nuk ka autoritet mbi shtetin.
Por realiteti po shkon në drejtim të kundërt:
* BIK po hyn në jetën publike dhe institucionale përtej kufijve normalë
* Po imponohet narrativë historike dhe sociale
* Po ndikohet sistemi arsimor dhe oraret shkollore
* Po zhvillohet aktivitet ekonomik përmes certifikimit “hallall”, duke deformuar konkurrencën dhe duke uzurpuar rol shtetëror
* Po ndërtohen objekte fetare pa transparencë për leje dhe financim
Dhe ju, në vend që të veproni, “diskutoni”.
Kryeministër, shteti nuk negocion me shkeljen e ligjit.
Shteti vepron.
Nëse ka imponim – ndalet.
Nëse ka tejkalim kompetencash – sanksionohet.
Nëse ka financime të dyshimta – hetohen.
Pa përkëdhelje, pa kalkulim politik.
Edhe më rëndë: nëse janë të vërteta kërcënimet ndaj bashkësive të tjera fetare, kjo nuk është më çështje debati – është çështje sigurie dhe rendi publik. Dhe aty nuk ka vend për heshtje.
Mos e zhvendosni problemin te “faktorët e jashtëm” për të shmangur përballjen me atë që po ndodh brenda.
Harmonia fetare në Kosovë nuk rrezikohet nga qytetarët.
Rrezikohet nga mungesa e shtetit dhe tolerimi i imponimit.
Prandaj, kryeministër:
Mjaft me deklarata të vakëta.
Mjaft me afrim selektiv me bashkësi fetare.
Mjaft me shmangie përgjegjësie.
Dilni qartë:
Kush janë faktorët?
Ku janë shkeljet?
Çfarë veprimesh konkrete po merrni?
Sepse në fund, përgjegjësia është e juaja.