Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > ​Mitrovica shpall gjendjen emergjente pas vërshimeve

​Mitrovica shpall gjendjen emergjente pas vërshimeve

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, ka shpallur gjendjen emergjente në këtë komunë pas vërshimeve dhe situatës së krijuar nga reshjet e shiut.

Siç bëhet e ditur në një njoftim të kësaj komune, Hamza ka shpallur gjendjen emergjente pas vlerësimit të gjendjes nga Qendra Operative Emergjente për Menaxhimin dhe Monitorimin e situatës.

Nga ana tjetër, Drejtoria për Shëndetësi në Mitrovicë ka njoftuar se për shkak të gjendjes së krijuar si pasojë e vërshimeve përveq Shërbimit të Urgjencës në QKMF ka aktivizuar në punë edhe ambulanca e mjekësisë familjare në Bair 1, Ura e Gjakut (Vaganicë), Iliride dhe Zhabar Shupkovc nëse eventualisht dikush ka nevojë për shërbime shëndetsore.

Njoftimi i plotë:

Kryetari i Komunës së Mitrovicës z. Bedri Hamza, pas vlerësimit të gjendjes së shkaktuar nga reshjet e shiut dhe koordinimit me drejtorinë përkatëse ka formuar-aktivizuar Qendrën Operative Emergjente për Menaxhimin dhe Monitorimin e situatës së shkaktuar nga reshjet e shiut.

Me këtë rast, Qendra Operative Emergjente ka mbajtur edhe një takim të jashtëzakonshëm, ku u diskutua për gjendjen aktuale me të cilën po përballet qyteti i Mitrovicës, si pasojë e reshjeve atmosferike.

Hapja e këtij takimi është bërë nga kryetari i komunës, z. Bedri Hamza, i cili pasi i ka njoftuar anëtaret me situatën aktuale në Mitrovicë, ka shpallur gjendje emergjente, si pasojë e të reshurave të dendura të shiut.

Në fjalën e tij, kryetari Hamza ka theksuar se si rrjedhojë e reshjeve të pandërprera, është rënduar situata në përgjithësi, dhe në bazë të kompetencave dhe autorizimeve, kam marrë vendim që të shpallim gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë territorin e komunës së Mitrovicës.

Qendra Operative Emergjente për Menaxhimin dhe Monitorimin e situatës së shkaktuar nga reshjet e shiut është në përbërje: drejtoritë komunale; Policia e Kosovës, Njësiti i Zjarrfikësve, Forca e Sigurisë së Kosovës, Qendra Operative Rajonale, Ujësjellësi, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), Kryqi i Kuq, Ekipi i Kërkim Shpëtimit si dhe Klubi i Zhytësve.

Anëtarët e qendrës operative kanë bërë edhe një apel ndaj qytetarëve për kujdes të shtuar në qarkullim, deri në tejkalimin e kësaj gjendje.

 

Themes by WordPress