Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > “Misioni i pamundur” i Kryetarit të Parlamentit

“Misioni i pamundur” i Kryetarit të Parlamentit

Prej se u bë e qartë, pas vizitës së emisarëve perëndimorë në Kosovë dhe në Serbi, se Albin Kurti ka pranuar për t’u rikthyer në procesin e dialogut pa u ndëshkuar dhe sanksionuar Serbia dhe për më tepër është pajtuar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Glauk Konfjuca i është përveshur punës që me “artin” e propagandës të tentojë ta justifikojë para opinionit publik këtë salto politike të shefit të tij.

Si dhe të shpërhap dokrra dhe amnezi për të kaluarën e përbashkët të tyre se si e kundërshtonin të njëjtin entitet, madje edhe me akte të dhunshme kundër institucioneve demokratike.

Që të duket si kthesë normale kjo metamorfozë, ai tash ka filluar të flas për një plan “më të avancuar evropian” në raport me të kaluarit dhe që i njëjti është shumë më afër frymës kushtetuese.

Por, Kryekuvendari nuk ka treguar se cilat draft statute të mëhershme të Asociacionit kanë qenë më shumë në kundërshtim me Kushtetutën se sa ky qe e ka lexuar sipërfaqësisht. Sepse deri më tash në publik dihet për tri të tilla. Ai i hartuar nga Ekipi Menaxhues, – i përbërë nga katër përfaqësues serbë. Një tjetër që thuhet se është shkruar nga qeveria e Edi Ramës, por që është mbajtur sekret dhe u është dërguar vetëm përfaqësuese të BE-së. Ndërkaq, në Prishtinë po ashtu një draft ishte prezantuar organizata gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung (FES).

Kurse në publik është përmendur edhe draftstatuti i Asociacionit të Kurtit i sajuar sipas modelit kroat për akomodimin e pakicës serbe në atë shtet. Prandaj shtrohet pyetja logjike a qenka më i avancuar draft statuti aktual evropian se sa ai i vet i Kurtit? Nëse po si është e mundur kjo shkarje? Nëse jo, pse pushteti hoqi dorë me aq lehtësi të padurueshme nga draft-statuti i tij për një të imponuar nga jashtë? Për çfarë sovraniteti po flasim këtu?

Sidoqoftë, asgjë nuk i demanton më shumë këto pretendime të Glauk Konjufcës, sesa deklaratat e vetë Kryeministrit Kurti si dhe të zyrtarëve të lartë evropianë. Ishte i pari i Qeverisë që para pak dite gjatë një vizite në Athinë si pjesëmarrës në forumin për “forcimin gjeopolitik të Evropës”, një ditë para rikthimit në procesin e dialogut në Bruksel, kishte deklaruar se është urgjente të zbatohen marrëveshjet e deritanishme”, pavarësisht faktit se për ta legjitimuar këtë akt “fliste për një plan të ri si bazë e mire për negociata”.

Ndërkohë, dje me të përfunduar takimi në Bruksel ndërmjet Kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentit Aleksandër Vuciq, me liderët kryesorë të shteteve evropiane, sikur se kancelarin gjerman, Olaf Scholz, presidentin francez, Emmanuel Macron dhe kryeministren italiane, Giorgia Meloni, kjo  fundit me anë të një prononcimi për media ka deklaruar se u kanë kërkuar të dyja vendeve, Kosovës dhe Serbisë, “që të zbatojnë marrëveshjet e hartuara së bashku në muajt dhe vitet e kaluara”. E pjesë e këtyre marrëveshjeve është ajo për Asociacion si e vitit 2013 ashtu edhe kjo e Brukselit dhe Ohrit të vitit 2023.

Për me tepër janë të paqëndrueshme interpretimet se me këtë fundit është menduar integrimi i marrëveshjes së parë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve të nënshkruar nga Hashim Thaçi, në këmbim të sigurimit të njohjes de facto nga Serbia. Sepse si me Marrëveshjen bazë të Brukselit ashtu edhe me planin e zbatimit të Ohrit, Kosova është pajtuar për mosnjohje nga Serbia. Madje, këtë gjë e ka konfirmuar vet zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano kur ka deklaruar se “Qëllimi i dialogut nuk është njohja, objektivi i dialogut është normalizimi i raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë”.  E ky normalizim mjerisht po behët me themelimin e Asociacionit dhe pa njohje nga Serbia.

Prandaj, këto fakte tregojnë se çfarë misioni i pamundur është synimi i Glauk Konjufcës për ta justifikuar me çdo kusht këtë disfate politike dhe diplomatike të pushtetit aktual, ngase nuk ka argument racional e as retorikë politike që mund ta mbulojë këtë dështim të palavdishëm politik.

/TV Arbëria

Powered by WordPress