Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Miratohet në parim Projektligji për parandalim dhe mbrojtjen e dhunës në familje

Miratohet në parim Projektligji për parandalim dhe mbrojtjen e dhunës në familje

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim edhe Projektligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore.

Deputetja, Duda Balje, e cila kryeson Komisionin Parlamentar për të drejtat e njeriut, tha se ky projektligj është shumë i rëndësishëm dhe është mirë të kalojë sot në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Balje tha se meqenëse opozita nuk është prezente në seancë, komentet e tyre do të mund t’i marrin mes dy leximeve.

Balje: Opozita komentet mund t’i jap gjatë dy leximeve

“Kemi shqyrtuar këtë ligj dhe kemi dal me rekomandim ligji është për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore jemi duke rekomanduar për votim nuk e kemi opozitën këtu por shpresoj që në mes leximit të parë dhe të dytë mund të dëgjojmë mendimin e tyre”, tha Balje.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim edhe Projektligjin për Zhvillimin Rajonal të Balancuar.

Ndërsa, nga rendi i ditës u largua debati parlamentar në lidhje me Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2022.

Votat pro të deputetëve të pozitës nuk i mori raporti vjetor i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës për vitin 2021.

Në seancën e sotme nuk po marrin pjesë deputetët e partive opozitare, të cilët meqenëse në fillim të seancës nuk u arrit të ketë kuorum vendosën ta lëshojnë sallën.

/TV Arbëria