Qeveria e Kosovës ka miratuar tri marrëveshjet që u nënshkruan në kuadër të Procesit të Berlinit mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, në nëntor të vitit të kaluar. Ekzekutivi, në mbledhjen e sotme, miratoi marrëveshjen për liri të lëvizjes me letërnjoftime me Bosnje Hercegovinën, marrëveshjen për njohje të kualifikimeve profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve në kontekstin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore dhe marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor.
Kryeministri, Albin Kurti, tha se ratifikimi i këtyre marrëveshjeve është tregues i përkushtimit dhe angazhimit të Kosovës për bashkëpunim rajonal.
Kurti: Ratifikimi i shpejtë është tregues i përkushtimit dhe angazhimit tonë për bashkëpunim rajonal
“Vitin e kaluar pas afër dy viteve negociata, më 3 nëntor në Berlin në kuadër të Procesit të Berlinit, nënshkruam tri marrëveshje të mobilitetit mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Marrëveshjet për lëvizjen e lirë me letërnjoftime, për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë, dhe atë për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve janë që të gjitha të bazuara në rregullat e Bashkimit Evropian…Ratifikimi i shpejtë i tyre është tregues i përkushtimit dhe angazhimit tonë për bashkëpunim rajonal, marrëdhënie të mira fqinjësore dhe avancim drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, tha Kurti.
Ai më tej shpjegoi në detaje edhe përfitimet e qytetarëve nga këto tri marrëveshje.
Kurti: Këto janë përfitimet nga tri marrëveshjet e Procesit të Berlinit
“Qytetarët e Republikës së Kosovës dhe qytetarët e Bosnje Hercegovinës do të lëvizin lirshëm vetëm me letërnjoftime. Me marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë, diplomat e institucioneve publike të arsimit publik të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor do të njihen me procedura të thjeshtësuara dhe falas. Kështu do të hiqet një pengesë kyçe për mobilitetin e studentëve, akademikëve dhe fuqisë punëtore brenda rajonit. Me marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve profesionale, bëhet e mundur që profesionet e mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve të ushtrohen lirshëm në secilën nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor”, shtoi Kurti.
Në mbledhjen e sotme, ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, i cili është nga komuniteti turk, kërkoi nga ekzekutivi të ndajë mjete financiare për tu solidarizuar me popullin turk pas tërmetit atje dhe po ashtu që objekti i Qeverisë së Kosovës të ndriçohet me flamurin turk.
Damka: Qeveria të ndajë një shumë për t’u solidarizuar me popullin turk
“Besoj se qeveria jonë do të vazhdojë ndihmën me kapacitetet e saj për të qenë pranë popullit turk. Unë paraqes dy kërkesa për solidarizim me popullin turk, së pari qeveria jonë të miratojë një shumë për t’u solidarizuar me popullim turk. Dy, objekti i qeverisë të ndriçohet me ngjyrat e flamurit të shtetit turk”, theksoi Damka.
Kryeministri Kurti tha se do të diskutojë shumë shpejt me ministrat në dikasteret përkatëse për t’i ndihmuar popullit turk.
Kurti: Do të diskutojmë çka mund të bëjmë shtesë për t’iu ndihmuar njerëzve që u goditën nga tërmeti
“Qysh në mëngjes sot kam marrë iniciativë që ndërtesa e Qeverisë së Republikës së Kosovës të ndriçohet me pamjet e ngjyrave të flamurit të Republikës së Turqisë. Njëkohësisht me ministrin Mehaj, Sveçla, Murati do të diskutojmë se çka mund të bëjmë shtesë për të ndihmuar njerëzit të cilët u goditën nga ky termet i jashtëzakonshëm”, tha ai.
Kabineti qeveritar, ndau edhe mjete për pagesën e specializantëve me vetëfinancim gjatë vitit 2023. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se kjo çështje është prioritet për vendin, sidomos tani në ikjen e profesionistëve shëndetësorw nga vendi.
Vitia: Pagesa e specializantëve me vetëfinancim është prioritet për vendin
“Ministria e konsideron pagesën e specializantëve me vetëfinancim si çështje me prioritet për vendin. Kjo do të ndikojë pozitivisht edhe me ofrimin e shërbimeve shëndetësore gjithëpërfshirëse, duke mundësuar qytetarëve qasje më të lehtë, më të shpejtë, më cilësore në shërbimet shëndetësore”, theksoi Vitia.
Gjatë mbledhjes së mërkurës, ekzekutivi ndau edhe mjetet për subvencionimin e qytetarëve që kanë kursyer energjinë elektrike gjatë muajit janar./TV Arbëria