Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka hedhur poshtë pretendimet e publikuara në media dhe rrjete sociale lidhur me lidhjet e supozuara ndërmjet Qeverisë së Kosovës, Lëvizjes Vetëvendosje dhe kompanisë EFT. Ajo theksoi se gjatë mandatit të qeverisë aktuale, Kosova nuk ka realizuar asnjë import energjie nga kjo kompani.
Në një konferencë për media, ministrja Rizvanolli deklaroi se informacionet e përhapura së fundmi janë “tërësisht të pavërteta” dhe se synojnë të dezinformojnë opinionin publik.
“Dua të jem e qartë: asnjë zyrtar i Qeverisë së Kosovës dhe i Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka asnjë lidhje me kompaninë EFT. Po ashtu, gjatë qeverisjes sonë, Kosova nuk ka importuar asnjë megavat energji nga EFT. Pretendimet e kundërta janë plotësisht të pavërteta,” u shpreh ajo.
Tranzit, jo import
Rizvanolli sqaroi se disa dokumente të ankandeve të kapaciteteve ndërkufitare janë interpretuar në mënyrë të pasaktë. Sipas saj, këto të dhëna tregojnë vetëm blerjen e kapaciteteve për tranzit energjie përmes rrjetit të Kosovës nga ana e EFT, dhe jo import të energjisë nga Kosova.“KOSTT ka analizuar të gjitha të dhënat e hyrje-daljeve të energjisë dhe ka konstatuar se energjia e futur nga EFT në territorin e Kosovës ka dalë po të njëjtën ditë nga sistemi. Pra, bëhet fjalë ekskluzivisht për tranzit dhe jo për import,” deklaroi ministrja.
Ministrja kujtoi gjithashtu se Qeveria e Kosovës nuk është blerëse e energjisë elektrike, ndërsa furnizimi dhe mbulimi i humbjeve në rrjet realizohet nga operatorët privatë KESCO dhe KEDS, të privatizuar një dekadë më parë.“Ne nuk jemi përgjegjës për licencimin e kompanive të energjisë apo për mbikëqyrjen e tregut. Këto janë kompetenca të ZRRE-së. Megjithatë, për të siguruar transparencë të plotë, kemi kontaktuar ndërmarrjet publike dhe private. KOSTT, KEK, KEDS dhe KESCO kanë konfirmuar se gjatë qeverisjes sonë nuk kanë pasur asnjë kontratë me EFT,” theksoi Rizvanolli.
Lidhur me raportimet se më 28 nëntor Kosova ka importuar energji nga EFT, ministrja i cilësoi këto pretendime si të pabazuara dhe të pavërteta.
“EFT ka përdorur rrjetin e Kosovës vetëm për bartje të energjisë në tranzit nga një shtet në tjetrin. Të dhënat e plota tregojnë qartë se energjia nuk ka mbetur në Kosovë dhe nuk është blerë nga ndonjë operator vendor,” deklaroi ajo.