Ministria e Mbrojtjes ka shpallur tender në vlerë gati 2 milionë euro për ndërtimin e infrastrukturës në Aeroportin e Gjakovës. Projekti është 2-vjeçar dhe me të parashihen ndërhyrje në pista, qasjet në pistë, platformat, rrugët qasëse dhe të ngjashme.
Në dosjen e tenderit të publikuar në faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik thuhet se këto ndërhyrje po bëhen me qëllim të ngritjes së operacionalitetit dhe efikasitetit në kryerjen e detyrave sipas misionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes.
Me projekt parashihet edhe ndërtimi i rrethojës brenda sipërfaqes së aeroportit.
“Lokacioni i objekteve është në të ashtuquajturin Aeroportin e Gjakovës, hapsirë e shfrytëzuar për periudhë të gjatë nga KFORI- Italian. Me përfundimin e misonit paqësor te KFOR-it Italian, hapësira është marrë në administrim dhe shfrytëzim nga Ministria e Mbrojtjes respektivisht Forca e Sigurisë së Kosovës. Për shkak të planifikimeve strategjike të Forcës së Sigurisë së Kosovës ka lindur nevoja e intervenimit për renovimin e hapësirave brenda Aeroportit, ndërtim dhe ndarje të hapësirave po ashtu renovimi i shtresës se asfaltit egzistues e po ashtu shtrim me sipërfaqe të reja asfalti. Në kuadër të këtyre ndërhyrjeve është parashikuar edhe ndërtimi i rrethojës brenda siperfaqës së aeroportit siç është potencuar në detyrë projektuese”, thuhet në dosje.

Në dosje tregohen saktësisht punët që do të kryhen, e kjo paraqitet edhe përmes hartave.
Procesi i punëve te pista do të kalojë në pesë faza. Në dosjen 118 faqëshe përshkruhen në detaje ndërhyrjet që do të kryhen dhe specifikacione se si do të duhet të realizohen punët.
Vlera e parashikuar e kontratës është 1 milion e 930 mijë euro, derisa kohëzgjatja e saj është 350 ditë.

Afati i fundit për dorëzim të ofertave është 13 shtatori, kur edhe bëhet hapja e tenderëve.

“Tenderuesi duhet të depozitojë sigurimin e tenderit 19,000.00€. Sigurimi i tenderit i skanuar së bashku me ofertë duhet të ngarkohet në sistemin E-prokurimi, ndërsa forma origjinale e sigurimit të tenderit do të kërkohet të dorëzohet nga një tenderues të cilin autoriteti kontraktues ka për qëllim që ta shpërblejë me kontratë. Mos dorëzimi i formës origjinale të sigurimit të tenderit shpije në zbatimin e nenit 99.2 të LPP-së”, thuhet në dosje.
Aeroporti i Gjakovës ka kaluar në menaxhim të Ministrisë së Mbrojtjes në korrik të vitit 2019.
Lëvizja Vetëvendosje gjatë fushatës zgjedhore kishte premtuar se ky aeroport do të shërbejë për udhëtime me kosto më të lirë.
“Aeroporti i Gjakovës do të funksionalizohet me dy shërbime bazë: kargo [bartje e mallrave] dhe udhëtime me kosto të ulët”, thuhej në programin zgjedhor të Vetëvendosjes, në fillim të vitit 2021.

