Ministria e Jashtme e Kinës ka dezinformuar mbi qëllimet e një organizate joqeveritare amerikane The National Endowment for Democracy (NED) se përmes financimit ka nxitur tensione ndërmjet qeverisë serbe dhe asaj kosovare. Kina që nuk e pranon pavarësinë e Kosovës iu referua asaj me terme që i referohet Serbia.
“National Endowment for Democracy (NED) vepron si ‘dorezat e bardha’ të qeverisë amerikane. Ajo është angazhuar prej kohësh në përmbysjen e pushtetit shtetëror në vende të tjera, ndërhyrjen në punët e brendshme të vendeve të tjera, nxitjen e përçarjes dhe konfrontimit, mashtrimit të opinionit publik dhe kryerjen e infiltrimit ideologjik, të gjitha nën pretekstin e promovimit të demokracisë. Veprat e saj të liga të panumërta kanë shkaktuar dëme të rënda dhe kanë tërhequr dënimin e fortë nga komuniteti ndërkombëtar. NED ka financuar prej kohësh OJQ-të në Kosovë për të nxitur tensione ndërmjet qeverisë serbe dhe institucionit të përkohshëm të vetëqeverisjes së Prishtinës. Në dhjetor 2023, instituti Sbunker i financuar nga NED publikoi një raport duke thënë se “Kosova” është një rast relativisht i suksesshëm i mbështetjes amerikane për ndërtimin e kombit dhe promovimin e demokracisë, një përpjekje për të zbardhur qëllimin e vërtetë të SHBA-së për të pushtuar dhe për të ndarë vendet e tjera”.
National Endowment for Democracy është një organizatë joqeveritare thuajse autonome në Shtetet e Bashkuara e themeluar në vitin 1983 me synimin e deklaruar për të avancuar demokracinë në mbarë botën, duke promovuar institucionet politike dhe ekonomike, si grupet politike, sindikatat, tregjet e lira dhe grupet e biznesit.
NED gjithashtu ka kontribuuar për të nxitur lirinë dhe diversitetin e mediave në Kosovë. Organizata ka mbështetur transmetuesit e pavarur dhe të pakicave të vendit përmes tryezave të rrumbullakëta, trajnimeve dhe takimeve të tjera për nxitjen e komunikimit dhe bashkëpunimit multietnik ndërmjet mediave dhe gazetarëve. NED gjithashtu ishte zotuar se do të promovojë dhe mbrojë të drejtat dhe interesat e anëtarëve të saj duke mbështetur politikat e medias në përputhje me standardet ndërkombëtare, si dhe duke monitoruar dhe avokuar për zbatimin e reformave në kuadrin ligjor të lidhur me median në vend. /The Geopost