Shkruan: Afrim Kasolli
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci gjatë ditës së djeshme kishte deklaruar se duhej durim vetëm deri sot dhe do t’ua shpërfaq kriminalitetin dhe pafytyrësinë të gjitha qeverive të kaluara, sidomos sa i përket zhvillimeve në ministrinë që e drejton.
Ky reagim i tij erdhi pasi kishin dalur në dritë shumë abuzime për subvencionet e kësaj ministrie gjatë këtij mandati. Ditë më parë, u bë e ditur se nga grantetet qeveritare në ketë sektor ka përfituar vëllai i deputetes së Lëvizje Vetëvendosje, Fitore Pacolli. Kjo e fundit po ashtu ka kërcënuar se do t’i padis në gjykatë të gjithë ata që kanë shkruar për këtë ngjarje. Ndërkohë, sikur të mos mjaftonte ky skandal, shpërtheu tjetri. Edhe këshilltari i ministrit Peci, Naim Huruglica e kishte përfituar një grantin nga Ministria e Bujqësisë, 100 mijë euro.
I ndodhur në këtë presion ai u mundua ta zhvendos vëmendjen duke përdorur një gjuhë shantazhuese. Ndonëse edhe po të tregonte fakte mbi abuzimet e kaluara përsëri ai nuk do të amistohej. Sepse nëse i ka pasur këto të dhëna dhe i ka heshtur deri sa mediat i bene publike dyshimet e fundit, përsëri do te gjendet fajtor. Mos denoncimi i krimit sipas imperativit juridik, por përdorimi i tij për përfitime politike, nuk janë asgjë tjetër pos dyfishim i krimit.
Sidoqoftë, kur ka kaluar edhe orari zyrtar i punës asnjë denoncim dhe publikim nuk ka ndodhur edhe pse opinioni ishte në pritje. Si duket ministri Peci ka vendosur të jetojë me barrën e dyfishtë të abuzimit./tvarbëria/