Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Ministri Peci: Në fillim të vitit 2024 do të merret vendimi për ndalimin e ndërtimeve në nivel vendi

Ministri Peci: Në fillim të vitit 2024 do të merret vendimi për ndalimin e ndërtimeve në nivel vendi

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), Faton Peci e ka mbajtur konferencën e fundit për mediat për vitin 2023. Gjatë kësaj paraqitje ai ka folur për sukseset dhe arritjet që sipas tij i ka shënuar kjo ministri gjatë këtij viti kalendarik.

Me këtë rast, TV Arbëria e ka pyetur ministrin Peci për një shqetësim të kahershëm në këtë sferë, atë të shndërrimit të tokave bujqësore në toka për qëllime industriale dhe ndërtimore.

Ky model nuk është ndërprerë as gjatë këtij mandati qeverisës. Shumë nga kërkesat e parashtruara në këtë ministri për ndryshimin e tokës bujqësore janë miratuar, e që sipas shumë ekspertëve një gjë e tillë konsiderohet tejet e dëmshme në aspektin ekonomik, sepse i zvogëlon mundësitë e prodhimit të kulturave bujqësore.

Gjatë përgjigjes së tij ministri Peci ka pohuar se nëse dallohet për diçka Ministria e Bujqësisë prej se ekziston, atëherë pikërisht qëllimi për ta ruajtur tokën bujqësore e ka veçuar këtë mandat. Edhe pse ka deklaruar se nuk e dinë saktë numrin e kërkesave dhe të atyre që janë aprovuar, megjithatë ai e ka pranuar se nuk mund ta ndalin plotësisht këtë tjetërsim të tokës bujqësore, nëse tashmë kjo është pjesë e planeve të komunave për zhvillim komunal si dhe nëse kërkesa të tilla e kanë kaluar filtrin në ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Po ashtu, ministri Peci ka treguar se që një vit kanë vendosur një lloj vetoje në njërën prej komunave të Kosovës, pikërisht për shkak se ministria e Bujqësisë nuk pajtohet me planin për zhvillimin komunal nga ajo komunë, në përpjekjet për të mbrojtur tokat bujqësore. Ai ka kujtuar se në saje të kundërshtimit të kësaj ministrie kundër asaj të ambientit dhe planifikimit hapësinor kanë arritur që të mbrojnë 300 hektarë tokë bujqësore.

Në fund ministri, Peci ka premtuar se në fillim të vitit të ardhshëm do të propozojë një vendim qeveritar për ndalimin e të gjitha ndërtimeve në nivel vendi.

/TV Arbëria