Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Politika > Ministri Murati pjesë e panelit në takimet vjetore të FMN-së në Marok

Ministri Murati pjesë e panelit në takimet vjetore të FMN-së në Marok

Ministri i Financave, Hekuran Murati do të udhëtojë për Marrakech të Marokut për të marrë pjesë në takimet vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, të cilat këtë vit do të mbahen nga 9 deri më 15 tetor.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Financave në këtë ngjarje, ministri Murati është ftuar nga FMN-ja si panelist për të prezantuar të arriturat e Kosovës në zbatimin e Programit për Reziliencë dhe Qëndrueshmëri, program ky i dakorduar me FMN-në në fillim të këtij viti.

“Ministri Murati gjatë vizitës së tij gjithashtu do të takohet me drejtues të lartë të FMN-së dhe Bankës Botërore, me të cilët do të diskutojë rreth zhvillimeve të fundit makroekonomike në vend, projektet në proces dhe projektet e reja, si dhe politikat e Qeverisë për zhvillim ekonomik e rritje të mirëqenies së qytetarëve”, thuhet në njoftim.

Takimet e vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore janë takime të rëndësishme të Komunitetit Ndërkombëtar Financiar, ku bashkohen figurat kryesore të fushës, ministra të financave dhe zhvillimit, guvernatorë të bankave qendrore, përfaqësues nga sektori privat, shoqëria civile, institucionet akademike dhe media; nga 189 shtete anëtare të organizatave në fjalë, përfshirë Republikën e Kosovës.

Kujtojmë se më 9 Maj 2023 është nënshkruar Programi i ri në mes të Kosovës dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, duke e bërë Kosovën vendin e parë në Evropë që përfiton nga Programi i ri FMN “Fondi për Reziliencë dhe Qëndrueshmëri”.

/TV Arbëria

Powered by WordPress